Kosova

Gjatë 24 orëve të fundit nuk pati asnjë të infektuar në Kosovë. Çfarë do të thotë kjo për vendin?

Gjatë 24 orëve të fundit nuk pati asnjë të infektuar

Të dielën në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast i ri me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se gjatë 24 orëve janë testuar 138 persona dhe asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv në koronavirus.

Kjo është hera e parë që nuk është shënuar asnjë person i infektuar, brenda periudhës 24 orëshe, prej kur janë paraqitur rastet e para më 13 mars.

“Si në të gjitha vendet, edhe ne jemi futur në një normalitet të ri, me të cilin duhet të mësohemi”, ka thënë Vitia.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka njoftuar se të dielën, janë shëruar edhe katër pacientë me COVID-19.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 1,032 raste me COVID-19. Prej tyre, 789 janë shëruar dhe 29 persona kanë vdekur./ REL