Kosova

Grenell në Kosovë: Një çek i madh po vjen. Trump më tha shkoni të bëjmë diçka ndryshe për njerëzit

Grenell në Kosovë: Një çek i madh po vjen. Trump më

Sot në Kosovë u nënshkrua një deklaratë e përbashkët përmes së cilës mirëpritet "përfundimi i shpejtë i një marrëveshje të re për nxitjen e investimeve Kosovë-SHBA". Pas takimit ku u nënshkrua deklarata, i dërguari special i SHBA-ve, Richard Grenell tha se bashkë me delegacionin e tij ndodhen në Kosovë për të zbatuar marrëveshjen e 4 shtatorit.

Në konferencën për shtyp Grenell foli për investimet amerikane në Kosovë dhe çfarë i kishte thënë Trump. Ai përmend edhe një çek të madh, që ende nuk ka mbërritur:

‘Përshëndetje nga presidenti Trump, jam bashkë me shumë kolegë. E shikoni këtë prapa meje (Trump), ai është njeriu i parave ai ka sjellë një çek të madh. Në fakt ende jo por do ta sjellë. Shumë premtime janë dhënë në të kaluarën dhe ajo se çfarë ne dëshirojmë të bëjmë është që të zbatojmë në përpikëmëri zotimet. Duam t’i tregojmë popullit të Kosovës se do të punojmë për zhvillim ekonomik.  Mirënjohje kryeministrit dhe presidentin Thaçi për punën e tij të palodhshme në fillim të procesit. Trump na tha shkoni në Kosovë dhe zbatojeni marrëveshjen dhe mos e leni vetëm me fjalë. Jam mirënjohës për zotimet e tij. Simbolizmi nuk e paguan qeranë. Duhet që të sjellim zhvillim. Muajin tjetër do të vijë një ekip tjetër në Kosovë. Do të kryej fizibilitetin në liqenin e Ujmanit. Nuk do të ishim këtu pa presidentin Trump. Ai më tha bëjmë diçka ndryshe për njerëzit. Pasi u nënshkrua marrëveshja ai më tha, tani shko zbatoje. Ai gjithmonë shtyn përpara proceset’.

Delegacion i SHBA-ve në Kosovë po udhëhiqet nga kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) Adam Boehler, i dërguari special për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetari i Bankës së Eksport-Importit të SHBA-ve(EXIM) dhe zyrtarë të tjerë  nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA.

Kosova dhe Serbia në Zyrën Ovale dhe në praninë e Presidentit Donald Trump firmosën një marrëveshje: Për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin ekonomik.