Kosova

Historia e profesorit nga Vushtria që u bullizua në rrjet sepse kërcente valle popullore dhe tërhoqi vëmendjen e Dafina Zeqirit

Historia e profesorit nga Vushtria që u bullizua në rrjet sepse

Një video virale, ku një profesor nga Vushtria në Kosovë kërcen valle popullore ka sjellë shumë reagime dhe bullizim në rrjet. Profesori i biologjisë, Lulzim Paci, tregon me lot në sy se ka marrë kritika dhe ofendime të shumta në mediat online, sa i tha vëllait të tij, se nëse ndihet i turpëruar, të mos tregojë se e ka vëlla. Gjatë deklaratave të tij, profesori tregon se e ai promovon vlera kombëtare dhe se asgjë degjeneruese nuk ka në videot e tij.

Ndërsa Profesori është përkrahur dhe mbrojtur nga shumë persona, ka patur edhe figura politike të Kosovës që e kanë sulmuar dhe i kanë quajtur videot e tij me valle popullore të pahijshme dhe degjeneruese.

Deputetja e LVV-së, Fjolla Ujkani me anë të një postimi në Facebook ka shkruar:

Historia e profesorit nga Vushtria që u bullizua në rrjet sepse

“Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë.” Naim Frashëri

Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, në veçanti juve nxënës të Gjimnazit “Eqrem Çabej”- Vushtrri, dhe juve prindër.

Ditëve të fundit njëri nga profesorët e Gjimnazit “Eqrem Çabej” është duke publikuar video të tij, të cilat janë veprime të pahijshme dhe degjeneruese.

Andaj, i bëj thirrje drejtorit të Gjimnazit dhe drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, që të marrin masa ndaj profesorit në fjalë. Sepse veprimet tij përmes videove lënë të kuptojnë, që një profesor i tillë nuk mund të arsimoj dhe edukoj kategorinë më të çmueshme të shoqërisë, rininë tonë”.

Pas kritikave të shumta nga ndjekësit për komentin e saj gjykues dhe bullizues, deputetja e LVV-së i ka kërkuar falje publike profesorit.

“Sqarim për publikun në lidhje me reagimin tim ndaj profesorit Lulzim Paci

Së pari, dua të sqaroj që në karakterin tim, bullizmi nuk ka vend në asnjë formë dhe për asnjë çmim.

E kuptoj që një pjesë e njerëzve kanë reaguar me qëllim të mirë, mirëpo janë një numër i konsiderueshëm i tyre, që e kanë shfrytëzuar reagimin tim për sulme politike e qëllimkqija ndaj meje.

Më vjen shumë keq nëse reagimi im e ka lënduar profesorin Paci, për çka edhe i kërkojë falje publike.

Reagimi im ka pasur për qëllim mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve, dhe gjithsesi ruajtjen dhe mbrojtjen e kredibilitetit të shkollës, në këtë rast Gjimnazit, por assesi lëndimin e dikujt tjetër.

Unë, para se të jem deputete, kam qenë gjimnaziste e të njëjtës shkollë, pra kam reaguar si një ish gjimnaziste.

Prandaj, kërkoj nga të gjithë me mirëkuptim, që mos ta përdorin reagimin tim për sulme me qëllime politike kundër meje”, shkruan ajo.

Për këtë rast kanë reaguar edhe shumë figura të famshme, si Dafina Zeqiri. Këngëtarja nga Kosova e ka ftuar profesorin që të bëjnë një video me valle në Tiktok bashkë.