Kosova

Hyn në fuqi marrëveshja. Lëvizje e lirshme në Kosovë dhe Shqipëri për ata që jetojnë 30 km larg kufirit

Hyn në fuqi marrëveshja. Lëvizje e lirshme në Kosovë

Të gjithë ata që jetojnë deri në 30 km larg kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë do mund të udhëtojnë lirshëm në kufi. Marrëveshja hyri në fuqi orët e fundit. Nga kjo marrëveshje mes dy shteteve përfitojnê rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës dhe Shqipërisë.

Njoftimi i Kurtit:

Mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve në zonat ndërkufitare Kosovë-Shqipëri

Ministria e Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar Protokollin Zbatues të Marrëveshjes Qeveritare për Regjimin e Trafikut Lokal në Zonat Kufitare, duke mundësuar e jetësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve që banojnë në zonat kufitare, në 26 vendkalime të veçanta kufitare.

Prej ditës së sotme, mbi 200,000 shtetas të Kosovës dhe Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 km nga kufiri tokësor kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare, për arsye sociale, kulturore, familjare etj.

Kjo Marrëveshje thellon edhe më tej bashkëpunimin tonë ndërshtetëror dhe lehtëson ndërveprimin e qytetarëve në të dy anët e kufirit.