Kosova

I izoluar prej 9 ditësh, kryeministri i Kosovës ka vetëm dy simptoma të virusit

I izoluar prej 9 ditësh, kryeministri i Kosovës ka vetëm dy

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti u infektua me koronavirus dhe prej nëntë ditësh është karantinuar në shtëpi. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë, njofton për mediat këshilltari i tij, por me dy simptoma po përballet: Lodhje dhe kollë.

Për mediat e Kosovës, zëdhënësi Xhavid Beqiri thotë se kryeministri do të dalë nga shtëpia kur të rezultojë negativ në testin e koronavirusit dhe pasi të ketë kaluar 2 javë në izolim. Ai shton se gjithsesi kryeministri Hoti ka qenë aktiv dhe i pranishëm virtualisht në mbledhjet e qeverisë dhe me ekspertët shëndetësorë.

“Mirë është siç e keni parë tërë ditën e ka pas aktive me takime virtuale nga banesa e tij. Ka pas më herët takim me krerët e sigurisë, po ashtu ka pas takim me kryetarët e komunave dhe drejtorët e departamenteve komunale për shëndetësi, pastaj një takim tjetër me kryetarët e komunave dhe drejtorët komunalë për arsim. Në këto dy takime kanë qenë të pranishëm edhe dy ministrat përkatës, ku është diskutuar për opsionet për fillimin e vitit shkollor.

Ai do të kalojë atë 14 ditëshin, pra do t’i përmbahet protokollit, më pas kur të dalë negativ do t’i kthehet punës. Kemi biseduar vazhdimisht dhe nuk ka simptoma të tjera, pak një lodhje të lehtë, por përveç kollës nuk ka ndonjë simptomë tjetër. Këto ditët e fundit sidomos sot e ka pas plot me angazhime”.

Kosova ka një bilanc prej 10,590 rastesh nga fillimi i pandemisë, 6,248 të shëruar, 354 viktima.