Kosova

Konferenca më e tensionuar mes ministrit grek dhe atij të Turqisë: Mos na jepni mësime, pranoni disa gjëra

Konferenca më e tensionuar mes ministrit grek dhe atij të

Takimi mes ministrit të Jashtëm të Greqisë dhe atij të Turqisë solli më shumë tensione sesa paqe. Mediat e komentojnë si konferencën e shtypit më të nxehtë, që nxori në pah problemin mes dy rivalëve historikë për çështjen e detit dhe jo vetëm.

Mevlut Çavusoglu dhe Nikos Dendias kishin për qëllim të tregonin se kanë vendosur të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre komplekse dhe të arrinin një zgjidhje si dy vende partnere të NATO-s. Por ministri Dendias filloi me ankesa për Turqinë, nga kërkimi për gaz natyror në territor të pretenduar grek, tek trajtimi i pakicës ortodokse greke dhe mosmarrëveshjen e palëve për emigrantët.

"Pozicioni i Greqisë është i qartë dhe kjo nuk është hera e parë që e dëgjoni”, tha Dendias ndërsa ministri turk u përgjigj: “Nëse akuzoni rëndë vendin tim dhe njerëzit, unë duhet të jem në gjendje t'i përgjigjem akuzave. Nëse hyjmë në akuza të ndërsjella këtu, kemi shumë për t'i thënë njëri-tjetrit."

Pavarësisht se në kamera u munduan të tregoheshin të përmbajtur, dy ministrat e shfaqnin tensionin mes tyre. Kjo konferencë nxori edhe njëherë në pah vështirësinë që do të ketë bashkimi Europian dhe NATO për të qetësuar ujërat e rivaliteti shekullor Greko-Turk.

"Turqia nuk duhet t'i japë Greqisë asnjë mësim," tha Dendias pasi akuzoi Turqinë se nuk po zbaton marrëveshjen e 2016-ës me Brukselin për të pranuar emigrantë që kërkojnë strehim në Evropë.

Krerët e BE thonë se Turqia ka marrë tre miliardë euro si pjesë e marrëveshjes për të ndalur fluksin e refugjatëve nga territori turk në ishujt grekë aty pranë.

“Greqia është e gatshme të shkojë përpara dhe të miratojë një axhendë të re. Por kjo nuk do të thotë që Greqia do të ndryshojë pozicionin e saj në politikën e jashtme ose se do të braktisë detyrimet e saj evropiane," tha Dendias, ndërsa ministri turk Çavusoglu repikoi: "Ju gjithmonë përpiqeni të na mësoni në lidhje me demokracinë dhe ligjin. Ju nuk lejoni që pakica turke në Greqi ta quajë veten turke. Ju i quani ata myslimanë. Nëse ata e quajnë veten turq, ata janë turq - ju duhet ta pranoni këtë."

Konferenca për shtyp u mbyll me të dy ministrat duke u përpjekur të shfaqeshin të buzëqeshur dhe duke rënë dakord që të vazhdonin debatin e tyre për një darkë private. Më herët Dendias u takua me Erdoganin dhe tha se kishte pasur bisedime të të jashtëzakonshme.

Por tensionet vazhdojnë!

*Tiranapost.al.