Kosova

Kosova na kërkon testin e virusit nëse duam të shkojmë: Rastet kur ka përjashtim

Kosova na kërkon testin e virusit nëse duam të shkojmë:

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për qytetarët shqiptarë dhe të vendeve të rajonit. Kushdo që hyn në territorin e Kosovës, duhet të tregojë testin e koronavirusit që dëshmon se është negativ, pra i painfektuar.

Në vendimin e qeverisë së Kosovës bëhen me dije disa përjashtime, si hyrja përmes aeroportit Adem Jashari, por edhe në këtë rast personi duhet të firmosë një deklaratë që tregon se do të largohet nga territori Kosovar në një afat prej 3 orësh. Testi përjashtohet edhe për transportuesit profesionistë dhe diplomatët nga shtetet e rajonit.

Nuk dihet nëse pala shqiptare do të kërkojë të njëjtën nga autoritetet e Kosovës, test për qytetarët kosovarë që hyjnë në territorin shqiptar.

VENDIMI NGA QEVERIA E KOSOVES

Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës (RKS) duhet të dëshmojnë se janë të shëndoshë nga COVID-19, me testin RT-PCR në Sars COV-2, sipas parimit të reciprocitetit, me përjashtimet si në vijim:

-Gjatë hyrjes nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test negativ RT-PCR, duke marrë parasysh që shtetasi i huaj vetëm do të kalojë nëpër territorin e RKS-së, dhe me kusht që në hyrje do të nënshkruajë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojë territorin e RKS-së;

-Gjatë hyrjes në pikat kufitare tokësore, me qëllim të daljes nëpër pikat ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nuk ka nevojë të kenë vërtetim për test RT- PCR, porse, shtetasit e huaj janë të obliguar të paraqesin biletën e aeroplanit dhe të nënshkruajnë deklaratën se brenda 3 orësh do ta lëshojnë territorin e RKS-së;

Transportuesit profesionistë (vozitësit) nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për testin PCR, me kusht që respektohet protokolli për transport ndërkombëtar;

-Për transport të organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare transite nuk nevojitet testi RT-PCR, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e RKS-së brenda 5 orësh;

Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët e kanë të rregulluar lejeqëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në RKS, gjatë hyrjes në RKS duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS;

Diplomatët e huaj nga shtetet e cekura në këtë vendim, të cilët janë të akredituar në RKS, sikurse familjarët e tyre, nuk është e nevojshme të kenë vërtetim për test RT-PCR;

Shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët kanë caktuar termin për mjekim në institucionet shëndetësore të RKS-së, mund të hyjnë, me kusht që të paraqesin vërtetimin për test TR-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS dhe vërtetimin për termin të caktuar të lëshuar nga spitali;

Bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga RKS, mirëpo me adresë vendbanimi në njërin nga shtetet e cekura në këtë vendim, gjatë hyrjes në RKS, duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ, të bërë 72 orë para hyrjes në RKS.