Kosova

Kosova nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, por shton masat anti-Covid

Kosova nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, por shton masat anti-Covid

Me maskën e vendosur, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi se në vend nuk do të vendoset gjendja e jashtëzakonshme, por do të merren masa rigoroze.

“Sapo zhvilluam mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ku ka një pajtueshmëri të përgjithshme, me ndërmarrjen e masave shtesë dhe rigorozitet të plotë, të përcjellim situatën, duke mos e përjashtuar edhe shtjellimin  masave për shpalljen e  gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Hoti në një konferencë për mediat.

Ai shtoi se masat e reja do të jenë rigoroze dhe se nuk do të tolerohet askush që nuk i respekton.

“Masat shtesë të cilët do të propozohen sot do të jenë më shumë rigorozitete në ato që kemi marrë më herët sepse masat më efektive për të parandaluar përhapjen e COVID-19, janë të thjeshta. Maska, distancë, higjienë…. më lejoni të ju them se nuk do të tolerojmë asnjë dhe asgjë”, deklaroi ndër të tjerash Hoti.

Kështu qeveria e Kosovës ka vendosur të mbyllë të gjitha tubimet përfshirë edhe ritet fetare.

Vetëm gjatë tre ditëve të fundit, në Kosovë janë shënuar 615 raste pozitivë me COVID-19 pozitiv.