Kosova

Kosova rrezikon të ngelet pa energji elektrike këtë dimër, Ministrja e Ekonomisë: Është gjendje e jashtëzakonshme

Kosova rrezikon të ngelet pa energji elektrike këtë dimër,

Kosova rrezikon që të ketë mungesë të energjisë elektrike gjatë stinës së dimrit, raportojnë mediat kosovare.

Përveç kësaj, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka paralajmëruar sërish rritje të çmimit të energjisë elektrike në pranverë të vitit të ardhshëm dhe ka kërkuar nga qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike.

“Çmimet e importit janë rritur pesëfish. Është gjendje e jashtëzakonshme. Në mënyrë që kjo krizë sa më pak ta prekë Kosovën, qytetarët duhet që të kursejnë rrymën, që të shfrytëzojnë burime të tjera të ngrohjes.

Moskursimi i energjisë do të thotë edhe rritje e importit dhe mund të ketë pengesa në fuqizim të rregullt, e mund të ketë edhe rritje të tarifave nga Prilli i vitit të ardhshëm”, tha Rizvanolli.

Megjithatë qytetarët janë të shqetësuar për paralajmërimet për shtrenjtim të energjisë elektrike.

Së fundmi Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshjen kornizë të bashkëpunimit të tregjeve të energjisë elektrike. Kjo është parë si pozitive në zgjerimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe rritjen e konkurrencës në treg.

Tiranapost.al