Kosova

Kurti i kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias

Kurti i kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim ditën e sotme në Prishtinë me kreun e diplomacisë greke, Nikos Dendias, përgjatë së cilës ka kërkuar që Athina të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës.

“Kryeministri Kurti e njoftoi se takimi në Bruksel do të jetë për dialogun e ardhshëm që duhet të jetë parimor, e ku Kosova do të trajtohet palë e barabartë. Ai përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Ministri i Jashtëm Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike”- shkruhet në njofttimin e zyrës së shtypit të Kurtit.

Nga ana e tij, ministri i jashtëm i Greqisë ka ofruar mbështetjen e vendit të tij për liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës dhe procesin e integrimit euroatlantik të Prishtinës, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut me Serbinë për këto procese.

“Ne mbështesim vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe u bëj thirrje të gjitha palëve që të rrisin përpjekjet për të arritur një zgjidhje detyruese ligjore dhe të qëndrueshme. Kjo zgjidhje do të stabilizojë mbarë rajonin dhe do të sjellë rajonin më afër familjes evropiane. Ne besojmë që Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe duhet të jetë pjesë integrale e BE-së, në këtë drejtim kemi qenë në favor të liberalizimit të vizave, meqë keni përmbushur kriteret. Për këtë ne kemi mbajtur qëndrim në Këshillin e ministrave dhe do të vazhdojmë të mbështesim në drejtim të kësaj çështjeje”- ka deklaruar Dendias.

Tiranapost.al