Kosova

Ramush Haradinaj flet për përballjen e lidershipit të Kosovës me Gjykatën Speciale. Tregon një ditë të tij në Hagë

Ramush Haradinaj flet për përballjen e lidershipit të

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj foli sot lidhur me përballjen me Gjykatën speciale të ish-krerëve të UÇK, ku mes tyre është edhe ish-Presidenti Hashim Thaçi, ndaj të cilëve janë ngritur akuza për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit.

Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24 ish-kryeministri i Kosovës u shpreh se lidershipi i Kosovës nuk duhet të ketë frikë. Siç shprehet Haradinaj e vërteta është me ta dhe se e vërteta është se Kosova ishte viktima.

Pjesë nga intervista:

Pothuaj i gjithë lidershipi është në Hagë, përse po ndodh kjo?

Haradinaj: S’ka pse të frikësohemi sepse e vërteta është në anën tonë. Është shumë me rëndësi të shpjegojmë se kemi kaluar në filtrat e drejtësisë që në 2008 dhe tani kemi edhe dhomat e posacme.

Është shumë me rëndësi të shpjegojmë se e drejta e Kosovës, e vërteta e Kosovës është e tillë që s’ka me u shqetësu prej gjyqit e prej Gjykatës, sepse ne kemi qenë me të drejtën, e vërteta është në anën tonë, si viktimë, e lufta për me e mbrojt veten nga një regjim i atëhershëm i Millosheviçit, ndërsa po ashtu është me rëndësi me shpjegu se disa herë kemi kalu filtrat e drejtësisë për të dëshmuar këtë të vërtetë, pafajësinë tonë. Në fillim ka qenë OKB, se OKB e ka qeverisur Kosovën për 9 vjet. Pra, ka pas një sistem të ligjit me gjykata e prokurorë që e kanë hetuar luftën. Pastaj edhe pas pavarësisë, ne kemi pas misionin e EULEX këtu. Ai mision është marrë me ekspertë ligjorë të BE e SHBA, jemi përballë me Tribunalin për krime në ish-Jugosllavi, tani kemi edhe këtë, pra Dhomat e Posaçme. Pse ndodhemi këtu është se disa dyshime të ngritura për krime e për hetime që janë zhvilluar në atë kohë, i është kërkuar Kosovës, që të mundësohet shqyrtimi i tyre gjyqësor ose ligjor, e parlamenti ynë në atë kohë, e ka votuar një gjykatë si kjo. Tani është një situatë absurde, që kjo gjykatë nuk gjykon krimet, por kryesit nga UÇK, ose identifikim vetëm me njerëzit e UCK dhe njëkohësisht është jashtë vendit, me ligje të Kosovës, por jashtë vendit. Pra është një shprehje mosbesimi ndaj Kosovës e sistemit tonë gjyqësor.

A mund të më përshkruani një ditë në Hagë?

Haradinaj: Është vështirë të shpjegohet sepse nuk është e njëjtë çdo ditë. Mund të ndihesh një ditë i harruar, por ka edhe ndonjë ditë të së vërtetës, por këto procese të gjata kërkojnë qëndrueshmëri. Për mua ka zgjatur 8 vite dhe ka kushtuar shumë. Bindja ime është se gjithçka është në shërbim të një dite dhe duhet punuar për atë ditë, për ditën e çekanit.

Gjyqi special në Hagë përfshiu edhe klasën politike në Shqipëri, kreu i opozitës Lulzim Basha është vënë në shënjestër të akuzave për rolin e tij në të shkuarën në UNMIK. Çfarë dini ju për rolin e Lulzim Bashës si pjesë të UNMIK?

Haradinaj: Ne jemi gëzuar kur kemi një parë një shqiptar duke punuar në UNMIK, sepse aty ka pas rusë, kinezë, sllavë ka pas shumë. Na ka ardh shumë mirë që edhe shqiptari ka arrit me mbërrit në UNMIK, ose në OSBE ose në këto mekanizma. T’ju them të drejtën nuk kam dijeni për ndonjë angazhim kundër çfarëdo vlere të Kosovës të Bashës. Ka pas një tendencë me i paragjyku njerëzit se këta po punojnë me ndërkombëtarë, mirëpo ka qenë edhe një kënaqësi realisht me pa edhe shqiptarë. Ne edhe të Kosovës psh, ja zv/kryeministri i parë i qeverisë tonë, z.Besnik Tahiri, kur e kam marrë si koleg në qeverinë e parë Haradinaj në 2005, ky ka punu për OSBE, por e kam marr për shkak të aftësive, të njohurive që ai ka, që tani jemi kolegë. Më vjen keq që po ngrihen debate të tilla, ndoshta edhe për qëllime elektorale edhe po përçahemi më shumë si shqiptarë, pa nevojë realisht edhe nuk i mendoj të dinjitetshme këto.

Çfarë dini ju për masakrën e Kushës?

Haradinaj: Gjithë bota di për ato, është një histori horror, ajo histori e dy Krushave nderohet. Ka qindra masakra të tilla në Kosovë, por kjo është në qendër të vëmendjes tani.