Kosova

Na kërkojnë ta njohim Kosovën, por nuk na ofrojnë asgjë

Na kërkojnë ta njohim Kosovën, por nuk na ofrojnë asgjë

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, thotë se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të fuqishme perëndimore presin nga Serbia që ta njohë Kosovën: Por askush nuk garanton madje as integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Deklarata e tij u bë gjatë një takimi të organizuar nga Këshilli Atlantik. Vuçiç tha se nuk pret “kohëra të lehta për Serbinë me administratën e presidentit amerikan Joe Biden”, duke vënë theksin tek dallimet rreth çështjes së Kosovës.

Serbia i sheh Shtetet e Bashkuara si mbështetëset kryesore të pavarësisë së Kosovës, të cilën ajo vazhdon ta kundërshtojë. Megjithatë, presidenti serb tha se Serbia “ka nevojë për Shtetet e Bashkuara” dhe është vënë në përpjekje për të thelluar marrëdhëniet me Uashingtonin.

“Ne kishim menduar se jemi qendra e botes dhe shpresoj qe e kemi kuptuar situatën politike ne botë”.

Kosova dhe Serbia pritet që të rifillojnë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të cilat mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

“Çfarë kemi nënshkruar në Bruksel 8 vjet më parë duhet të përmbushet nga të dyja palët. Dhe këtu është problemi. Pala tjetër ishte e gatshme të nënshkruajë sepse ishte e sigurt se nuk duhet te zbatojë asgjë”, tha presidenti serb, duke kritikuar Prishtinën për “shantazh”.

Vuçiç:

“Nuk e dëgjoni nga Serbia asnjë shantazh të tipit nëse nuk e bëni këtë ne do të kërkojmë dëmshpërblime të luftës, do të ushtrojmë një padi kundër jush. Këtë e dëgjojmë cdo ditë nga Prishtina dhe nuk ka reagime qoftë nga Shtetet e Bashkuara, qoftë nga Bashkimi Evropian. Madje as në nuk reagojmë më”, tha ai duke nënvizuar se “duhet të ndryshojmë atmosferën dhe të rrisim besimin mes nesh. Jo ta shohin njeri tjetrin si armiq. Nuk duhet të krijojmë mjedis armiqësor mes nesh. Çështja është se Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe vende të fuqishme nga perëndimi thonë se po presin nga Serbia që të njohë pavarësinë e Kosovës. Por kur pyesim çfarë ofroni, sepse asnjëra palë nuk mund t’i fitojë të gjitha – nuk ka asgjë. Askush nuk mund të garantojë madje as anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

Referuar VOA

*Tiranapost.al.