Kosova

Në Kosovë po bëhen testime virusi në laboratorë privatë: Nisin hetimet

Në Kosovë po bëhen testime virusi në laboratorë

Radio Evropa e Lirë sjell rastin e një personi që ka paguar 120 euro për të bërë testin e koronavirusit në një klinikë private në Prishtinë. Atij i duhej rezultati për shkak të një udhëtimi të planifikuar jashtë vendit.

 “Para një jave e kam bërë testin. Mostrat i dërgojnë në Maqedoni (v.j. të Veriut), pastaj rezultatet t’i japin në Prishtinë në gjuhën maqedonase. Por, testi ish i pranueshëm në kufi”, ka treguar ai.

Por sipas vendimit institucioneve të Kosovës, testimi me metodën PCR për koronavirus në Kosovë mund të bëhet vetëm në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

Në rrjetet sociale ka pasur të tjerë qytetarë nga Kosova që kanë treguar se kanë bërë testin në klinikë private. Inspektorati shëndetësor ka nisur hetimet pasi deri më tani asnjë institucion privat nuk është licencuar për të kryer testime për SARS-COV-2.

“Ministria e Shëndetësisë ka pranuar nga qytetarët denoncime të ndryshme lidhur me testimet për COVID-19 në sektorin privat, pavarësisht se askush prej institucioneve private nuk është i licencuar për të kryer teste për SARS-COV-2. Inspektorati shëndetësor po i hulumton këto pretendime. Në Kosovë, ka laboratorë të mikrobiologjisë, por deri tash asnjëri prej tyre nuk ka qenë i licencuar për testime për COVID-19”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Edhe në Shqipëri, zv ministrja Mira Rakacolli ka thënë se OBSH deri më tani nuk ka licensuar laboratorë privatë për të bërë testin.

Linku origjinal i artikullit këtu: https://www.evropaelire.org/a/teste-per-koronavirus-laboratoret-private-/30724210.html