Kosova

Nis takimi mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel: Postimet 'provokuese' para se të uleshin në tryezë

Nis takimi mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel: Postimet

Ka nisur në Bruksel takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Takimi lidhet me procesin e dialogut mes dy vendeve me ndërmjetësimin e BE-së dhe nuk dihet se si do shkojë bisedimet. Albin Kurti i ka kujtuar Vuçiç se serbët janë fajtorë për tre gjenocide ndaj shqiptarëve, dhe se gjenocidi i parë ka ndodhur në vitin 1878 dhe i fundit në 1999.

Pak para takimit Albin Kurti ka bërë këtë postim në Facebook:

Kujtojmë Masakrën e Rahovecit
Sot u bënë 23 vite nga ofensiva e forcave serbe në Rahovec e javës së 19 korrikut të vitit 1998. Për disa ditë me radhë u ekzekutuan, u morën peng e u zhdukën me dhunë shumë shqiptarë civilë në mënyrë arbitrare.
Ushtria, policia dhe paramilitarët serbë vazhduan tutje duke masakruar fëmijë, gra e pleq të strehuar në Teqenë e Sheh Myhedinit.
Vranë profesorë. Morën peng civilë. E në fund hapën dy gropa të mëdha ku i varrosën një pjesë të shqiptarëve të vrarë gjatë kësaj ofensive. 150 persona kanë mbetur të vrarë, edhe 10 persona janë ende të pagjetur.
Andaj sot kujtojmë të rënët por edhe të gjallët e kësaj masakre. Ata që na lanë, e ata që mbijetuan për të treguar tmerrin e përjetuar, dhe që akoma e bartin mallin e më të dashurve të tyre që më nuk janë, si dhe të atyre që nuk e dijnë se ku janë.

Nis takimi mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel: Postimet

***

Ndërkaq ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiç që mbahet në Bruksel. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor, ku më shumë u vunë në pah dallimet, ndonëse dy palët, ndoshta edhe nga presioni i BE-së u pajtuan që duhet të vazhdojnë me takimet.

Zëdhënësi në BE, Peter Stano njoftoi se bisedimet mes dy liderëve të dy vendeve të rajonit do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe në hapat e mëtejmë në procesin e dialogut: Por a ka patur vërtet përparim?

Para takimit, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Borrell shtoi se shpreson që ky takim të jetë më i frytshëm sesa takimi i parë, që u mbajt në qershor.

“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”.

Ndërsa para uljes në tryezë nga palët, edhe Miroslav Lajçak përfaqësuesi i BE për dialogun Beograd-Prishtinë ka zhvilluar takime të ndara Kurtin dhe Vuçiç. Nga Twitteri ai postoi foto me dy liderët dhe shkruante se këto takime të ndara u zhvilluan si parapërgatitje për takimin zyrtar të dialogut Kosovë-Serbi.

Nis takimi mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel: Postimet

Nis takimi mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel: Postimet

Provokime pati edhe nga ana serbe, presidenti para takimit postoi përmes faqes së presidencës një foto ku shihet me dokumente e ku shkruan se nuk është e këndshme të udhëtosh për të biseduar me përfaqësues shqiptarë.

Asnjëherë s'është veçanërisht e këndshme që të udhëtosh ose të qëndrosh në Bruksel kur do të mbash bisedime me përfaqësues shqiptarë. Sidoqoftë, është e rëndësishme për Serbinë sepse duke vepruar kështu, ne po ndihmojmë njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi, duke ruajtur paqen dhe stabilitetin, të cilat janë të një rëndësie thelbësore për përparimin ekonomik të të gjithë Serbisë. Në avion, si në kohën kur isha student, azhurnoj materialin dhe përgatitem për takime të vështira. Dorëzimi nuk është një opsion!

Nis takimi mes Kurtit dhe Vuçiç në Bruksel: Postimet

*Tiranapost.al.