Një ditë para gjyqit ndaj liderëve të UÇK në Hagë, Kosova marshon për drejtësi: Liria ka emër!
Mijëra qytetarë mbushën sot sheshin e Prishtinës në atë që u quajt “Marshim për Drejtësi” në mbështetje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre që ndodhen në Hagë, një dtë përpara gjyqit të tyre.
Organizuesit e protestës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli i kanë cilësuar të pabaza akuzat me të cilat po përballen liderët e UÇK-së dhe të padrejtë zvarritjen e hetimeve.
“E vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë është e vërteta e Kosovës, të cilën duhet ta mbrojmë të gjithë,” u shprehën ata.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se mbështetjen e madhe të qytetarëve të Kosovës po e ndiqnin live edhe vetë liderët e UÇK-së që janë në Hagë.
"Po na përcjellin drejtpërdrejtë nga Haga çlirimtarët tanë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre. Sot marshojmë krenarë për ata që dikur marshuan drejt lirisë", tha ai.
Marshimi “Liria ka emër” nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe u mbyll në sheshin “Skënderbeu”. Ditën e nesërme është thirrur një tjetër protestë në Hagë nën moton “Mos ma gjykoi lirinë”.