Kosova

Numërohen kutitë në Kosovë. 21 komuna në balotazh, votojnë sërish

Numërohen kutitë në Kosovë. 21 komuna në balotazh,

Kosova mbajti dje zgjedhjet vendore dhe sot janë numëruar 99.8% të fletëve të votimit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 1 milion e 885 mijë e 448 persona me të drejtë vote, kanë votuar 779 mijë e 960 qytetarë.

Megjithatë qytetarët e 21 komunave duhet t’u drejtohen përsëri kutive të votimit pasi janë në balotazh.

17 komunat e tjera i kanë zgjedhur kryetarët.

Lista serbe ka marrë nëntë komuna nga 10 në të cilat garonte. E dyta është Partia Demokratike e Kosovës e cila në këto zgjedhje fitoi pa balotazh në Skenderaj, Mitrovicë, Ferizaj, Kaçanik e në Han të Elezit.

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka fituar në Pejë e Lipjan, ndërsa po aq komuna sa LDK-ja ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila arriti ta mbajë pushtetin në Suharekë e Deçan.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje, që qeveris Kosovën nuk ka arritur që të mbajë asnjë komunë të cilën e drejtonte.