Kosova

Rezoluta, PE mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Rezoluta, PE mirëpret aplikimin e Kosovës për

Parlamenti Europian ka miratuar të mërkurën në seancë plenare në Strasburg një rezolutë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, ku kërkohet që BE të përshpejtojë procesin e zgjerimit, si me vendet kandidate, ashtu edhe me kandidatët potencialë.

Po ashtu kërkohet që sa më parë të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës.

Në momentin e fundit në rezolutë është përfshirë edhe pjesa në të cilën mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Fokusi i saj është kërcënimi që paraqet agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, ndërsa një pjesë e rezolutës i kushtohet edhe ndikimit të Rusisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në mënyrë të veçantë në tekst i bëhet thirrje Serbisë, e cila është vend kandidat për anëtarësim në BE, që të respektojë vlerat europiane dhe ta përshtatë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Europian.

Në raport kritikohen edhe përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e rajonit, ndërsa mbështetet arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut, përmes njohjes së ndërsjellë. Aty thuhet se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe kërkohet nga 5 vendet e BE-së që ta njohin pavarësinë.

Rezoluta është miratuar me 407 vota pro, 92 kundër dhe 142 abstenime.