Kosova

Përplasja mes Thaçit dhe Hotit për dialogun me Serbinë

Përplasja mes Thaçit dhe Hotit për dialogun me Serbinë

Një deklaratë nga zyra e Presidentit të Kosovës lind dyshimet për një përplasje mes kreut të shtetit dhe atij të qeverisë. Kryeministri Avdullah Hoti tha dje nga Brukseli se ai është përfaqësues i shtetit në bisedime, ndërkohë që Presidenti Hashim Thaçi ndodhej për të katërtën ditë duke u intervistuar në Hagë.

Këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj pak orë para se të niste takimi Hoti – Vuçiç në Bruksel e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës se po shkon në bisedime pa koordinime paraprake.

Sipas këshilltarit të presidentit, kësaj radhe për dallim nga ç’kishte ndodhur kur ishin përgatitur për në SHBA, Hoti nuk e kishte marrë as mundimin që të shkonte ta takonte presidentin për proceset.

“A e dini kush pse ka shkuar sot Avdullah Hoti në Bruksel dhe çfarë po kërkon atje? Pa mandat të Kuvendit. Pa unitetit dhe konsensus politik. Pa platformë të dialogut. Pa transparencë publike. Pa grupin e ekspertëve. Pa koordinim dhe pëlqim të partnerëve qeverisës. Avdullah Hoti nuk mund ta përfaqësojë as LDK-në, se lëre më Kosovën. Si i vetëm nuk e përfaqëson dot as fshatin e tij! Në ditën kur presidenti i vendit po intervistohet për shpifjet e regjimit serb, Avdullah Hoti ka zgjedhur t’i zgërdhihet Vuçiçit në Bruksel. Ky paska qenë ekipi i unitetit për të cilin na fliste”, ka shkruar ai.

Kësaj deklarate që doli nga zyra e presidentit iu janë përgjigjur dje krerët e ekzekutivit. Kryeministri Hoti nga Brukseli foli shkurt kur u pyet për këtë çështje. Ai tha se përfaqëson Kosovën e është koordinuar me partnerët e koalicionit.

“Unë përfaqësoj Kosovën në bisedime së bashku me partnerët e koalicionit, duke e mbajtur plotësisht të informuar gjithë spektrin politik në Kosovë”, tha dje Hoti.

Numri dy në qeveri, Besnik Tahiri përmes një mesazhi që ka shpërndarë në Facebook tha se Hoti nuk ka shkuar për të bërë udhëtim për interesin e tij personal.

“Në secilin moment që Kosova i ka ikur tavolinës ka humbur. Po ashtu, të gjithë̈ ata që frymojnë̈ dhe mendojnë̈ shqip janë me përfaqësuesin legjitim të këtij populli që është në Bruksel, pra me z. Avdullah Hoti. Pra, janë dy procese të ndara: kë e përfaqëson; si e përfaqëson. Këto janë dy tema politike që duhet të trajtohen. Secila tendencë për t’i dobësuar, z. Thaçi në Hagë e z. Hoti në Bruksel, është dëmtim drejtpërdrejt i interesit kombëtar shqiptar të Republikës së Kosovës”, shkruan ai.

Kreu i shtetit, Hashim Thaci dhe kryeministri Avdullah Hoti kishin mbajtur takime për t’u koordinuar për takimin e Uashingtonit.