Kosova

Prishtina ndalon përdorimin e skuterave dhe biçikletave elektrike nëpër hapësira publike

Prishtina ndalon përdorimin e skuterave dhe biçikletave elektrike

Prishtina ka ndaluar përdorimin e skuterave, motorëve dhe biçikletave elektrike nëpër sheshet dhe hapësirat publike të kryeqytetit ku ka dyndje të këmbësorëve. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar vendimin përmes një postimi në Facebook.

Rregulli i ri do të hyjë në fuqi më 15 gusht. Shtrenjtimi i naftës dhe benzinës thuhet se i ka detyruar shumë qytetarë në Prishtinë që të kërkojnë alternativa si skuterat e biçikletat.

“Kemi ndaluar qarkullimin e trotinetëve, biçikletave dhe gjithë mjeteve motorike elektrike nëpër sheshet dhe hapësirat publike të kryeqytetit, në të cilat ka frekuencë të lartë të këmbësorëve. Kjo urdhëresë do të hyjë në fuqi prej të hënës, më 15 gusht 2022, deri në votimin dhe publikimin e rregullores në të cilën jemi duke punuar për të siguruar mbarëvajtjen e qarkullimit të këtyre mjeteve sa i përket sigurisë së qytetarëve të Prishtinës”, shkroi Rama.