Kosova

Protestë në Prishtinë kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Protestë në Prishtinë kundër Asociacionit të komunave

Qytetarët e Kosovës kanë protestuar sot në sheshin qendror të Prishtinës kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ata kanë kërkuar nga ndërkombëtarët që të rishikojnë qëndrimet e tyre ndaj kësaj kërkese për Kosovën.

“Evropa duhet ta dijë se shqiptarët janë masivisht kundër Asociacionit sepse janë të bindur që ky copëzim i ri do ta çojë shtetin në të njëjtën gjendje ku e ka çuar Bosnjën Republika serbe e Bosnjës”, u shpreh një prej protestuesve.

Protesta u zhvillua pikërisht në ditën kur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë u organizua një takim për të diskutuar për Asociacionin, ndërsa të ftuar ishin zyrtarë nga Presidenca, zyrtarë qeveritarë, liderë partiakë, diplomatë dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kundërshton themelimin e Asociacionit, teksa Serbia këmbëngul që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndërkaq, SHBA-ja ka argumentuar se ka ardhur koha që të formohet Asociacioni.

Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se për ta, Asociacioni është prioriteti kryesor, teksa së bashku me Brukselin, po inkurajojnë Kosovën dhe Serbinë të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të raporteve.