Kosova

Qeveria t’i thërrasë mendjes! Kryetarët e Komunave refuzojnë takimin me Albin Kurtin, ç’ka ndodhur

Qeveria t’i thërrasë mendjes! Kryetarët e Komunave

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka vendosur që kryetarët e komunave të refuzojnë të marrin pjesë në takimin e sotëm, të kërkuar nga kryeministri Albin Kurti. Sipas anëtarëve të Bordit, ministritë nuk u janë përgjigjur kërkesave që kanë parashtruar krerët e komunave dhe se qeveria në mënyrë arbitrare ka larguar nga Komiteti për menaxhimin e pandemisë përfaqësuesin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Në njoftimin e publikuar nga Bordi i Asosacionit të Komunave të Kosovës, i bëhet thirrje qeverisë së Albin Kurtit që t’i thërrase mendjes!

“Bordi vlerëson se ky veprim do ta bënte qeverinë që t’i thërriste mendjes që t’i trajtojë kryetarët e komunave me më shumë seriozitet në marrjen e vendimeve që prekin komunat”.

Gjatë mbledhjes së Komitetit për Koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se për shkak të përhapjes së variantit Delta të koronavirusit, numri i të infektuarve është 20-fishuar.

Sipas tij, të dhënat kanë ardhur nga instituti gjerman Robert Koch, ku autoritetet e Kosovës dërguan mostra më 16 gusht për analiza.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi nga anëtarët e këtij komiteti, që u krijua për të mbikëqyrur masat, që të jenë të rreptë në kontrollimin e respektimit të masave..

Më 30 gusht, Qeveria e Kosovës themeloi Komitetin për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë. Ky komitet ka në përbërje mbi 20 institucione të Kosovës që përfaqësohen nga një anëtar dhe udhëhiqet nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Kryeministri Kurti ka kërkuar nga ky komunitet që të paraqesë raport ditor mbi gjendjen e pandemisë, deri më 13 shtator, kur edhe përfundojnë masat e reja të pandemisë.

*Tiranapost.al.