Kosova

Rasti i dhunimit të të moshuarës në Kosovë/ Gjykata liron infermieret e akuzuara

Rasti i dhunimit të të moshuarës në Kosovë/ Gjykata

Gjykata e Kosovës ka dhënë vendimin për tre infermieret e arrestuara që akuzohen për dhunë ndaj të moshuarës në shtëpinë e përkujdesit.

Infermieret me inicialet A.R., A.P dhe R.K do të gjykohen në liri.

“Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurës A.R., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurat A.P. e R.K., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm DP.PP.nr.336/2022 të datës 03.11.2022 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm PN1DP.nr.1561/2022 të datës 11.11.2022, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë për tu mbrojtur në liri”, shkruhet në vendim.

Për vendimin ka reaguar edhe vajza e të moshuarës, Zhaneta.

“Vendimi për lirimin e të pandehurave nga paraburgimi ditën e sotme nga Gjykata Supreme e Kosovës, plagën tonë në zemër vetëm sa e ka thelluar. Shoku i shkaktuar nga pamjet e dhunës që i ushtrohet nënës time, për ‘Gjykatën Supreme’ paska qenë lehtë i gëlltitshim dhe me këtë veprim kjo gjykatë ‘dhunoi’ për të dytën herë nënën time!”, shkruan Zhaneta në Facebook.

Në fillim të nëntorit një video nga qendra e përkujdesit të të moshuarve “Orenda” në Pejë, ku disa infermiere dhunonin një të moshuar, u bënë virale. Ngjarja sensitive ngjalli revoltë në opinionin publik.

E moshuara u tërhoq nga qendra për të jetuar me vajzën e saj.

Licenca e qendrës u pezullua.