Kosova

Sekuestrohen 400 mijë euro, në pranga disa zyrtarë në Kosovë të lidhur me ministrinë e Bujqësisë

Sekuestrohen 400 mijë euro, në pranga disa zyrtarë në

10 zyrtarë në Kosovë janë arrestuar pas dyshimeve për ryshfet në subvencionet bujqësore. Po ashtu janë sekuestruar 400 mijë euro gjatë kontrolleve nëpër zyra dhe godina të tjera.

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi në konferencën për mediat ka treguar se provat janë grumbulluar që në muajin janar, si dhe informacionet lidhur me rastin ku dyshohet për ryshfet në subvencionet bujqësore, ndërsa arrestimi i 12 personave është bërë për keqpërdorim dhe shpërdorim detyre, marrje dhe dhënie ryshfeti etj. Prej të arrestuarve, 10 janë zyrtarë dhe dy qytetarë.

Në total janë sekuestruar 400 mijë euro ndërsa aksioni do të vijojë. Zyrtarët e arrestuar janë nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Kryeministri ende në detyrë, Avdullah Hoti ka kërkuar hetim të plotë dhe të shpejtë, ndërsa ka theksuar se këta zyrtarë nuk duhet të jenë pjesë e institucioneve.

“Pres hetim të plotë, gjithëpërfshirës dhe të shpejtë ndaj kujtdo që është i përfshirë në rastin e subvencioneve bujqësore. Fajtorët duhet të marrin dënimin maksimal. Këta njerëz nuk e meritojnë të jenë në institucione”, ka thënë Hoti.