Kosova

Serbia kundër negociatave për planin franko-gjerman

Serbia kundër negociatave për planin franko-gjerman

Serbia vazhdon të mohojë diskutimet për marrëveshjen finale, për të cilën u tha se u ra dakord në takimin e fundit në Bruksel, kur u arrit marrëveshje për targat. Madje presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka ironizuar me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nuk do të shkojë në Bruksel vetëm për targa, por për marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.

Një ditë pas Kurti tha se në takimin e radhës në Bruksel do të diskutojnë për marrëveshjen finale, Vuçiç tha: “Ai ka thënë se për të çështja e statusit ka marrë fund. Edhe për mua çështja e statusit ka marrë fund për kohë të gjatë, në pajtim me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Kaloftë mirë në Bruksel”, ka thënë Vuçiç nga Norvegjia.

Megjithëse nuk është publikuar ende, Vuçiç e ka quajtur të papranueshëm propozimin franko-gjerman pasi palëve u kërkon zotime për respektimin e ndërsjellë të integritetit territorial.

Edhe drejtori i së ashtuquajturës zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka caktim afatesh për të arritur marrëveshje përfundimtare. Sipas tij, i vetmi afat është për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Kurti, një ditë më herët deklaroi për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se në Bruksel shkon për të negociuar për marrëveshjen finale, që sipas tij, duhet të arrihet deri në pranverën e vitit 2023.

Arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve vazhdon ta konsiderojë si çështje urgjente dhe një nga propozuesit e planit, Gjermania. Presidenti i këtij vendi, Frank Walter Steinmeier nga Shkupi ka bërë thirrje sot që diskutimet të zhvillohen rreth planit të propozuar.

“Sa u përket marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, mund t'ju them se i gjithë Bashkimi Evropian ka interes urgjent për normalizimin e marrëdhënieve. Për këtë janë bërë përgatitje, janë bërë propozime. Jam i lumtur, sepse propozimi gjermano-francez tani ka arritur sukses dhe po pranohet”, ka thënë presidenti gjerman pas takimit me homologun e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Kurti dhe Vuçiç të hënën e kaluar dështuan të arrijnë marrëveshje për çështjen e targave ilegale të lëshuara nga Serbia. Kurti refuzoi propozimin për heqjen dorë nga shqiptimi i gjobave, pasi në të nuk u përfshi çështja që të diskutohej për marrëveshjen finale, që sipas kryeministrit të Kosovës ishte në ftesën e bërë nga ndërmjetësit. Madje ai kritikoi Borrell se ka hequr dorë nga synimi që marrëveshja të arrihet deri në mars të vitit të ardhshëm.

Kërkesa e SHBA-së që vendimi për gjobat të shtyhet për 48 orë, bëri që palët pas diskutimeve maratonike të arrijnë marrëveshje. Kosova u zotua të mos shqiptojë dënime, e Serbia të mos prodhojë më targa ilegale.

Ndërkaq çështja e tretë, sipas kryenegociatorëve, ishte pajtimi për t’i nisur diskutimet rreth marrëveshjes finale. Paralajmërimi i ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, rreth sigurisë në veri të Kosovës, ka qenë shkaku për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është bërë kompromis lidhur me targat ilegale.