Kosova

Albin Kurti e ‘humb’! Sfidon organin më të lartë të drejtësisë, gjykatën Kushtetuese me një fjali

Albin Kurti e ‘humb’! Sfidon organin më të lartë

Vetëvendosja e Albin Kurtit nuk e pranon vendimin e Gjyatës Kushtetuese, të publikuar mbrëmë ku i jepte të drejtë presidentit Thaçi dhe i hapte rrugën formimit të qeverisë së re pa zgjedhje. Albin Kurti do i drejtohet sërish Komisionit të Venecias për këtë çështje. Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së Albin Kurtit nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re edhe pa partinë fituese.

Këtë vendim Vetëvendosja e quan skandaloz dhe të papranueshme.

Në një postim në Facebook, Kurti shkruan:

Mbrëmë natën, në orët e vona, morëm njoftimin nga Gjykata Kushtetuese lidhur me Aktgjykimin për dekretin antikushtetues të Presidentit.

Le të themi qysh në fillim, se në tekst dhe nëntekst nuk gjendet shumë lidhur me çështjet kushtetuese sa me metodën e pashembullt të shprehjes së parullave disiplinuese-ndëshkuese.

Mund të gjenden pak ose aspak raste në botën demokratike kur fituesi i zgjedhjeve dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti duke u thirrur në shumica fiktive në Kuvend dhe duke spërdredhur deklarimet dhe shkaqet objektive siç ishte gjendja e rëndë e pandemisë.

Në vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje: meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë.

Gjykata ka theksuar se në vitet 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme të mosbesimit, nuk ka pasur vullnet dhe as shumicë në Kuvend për të formuar një Qeveri të re, mirëpo se si e kanë konstatuar këtë nuk dihet, pasi shpërndarja e Kuvendit ka qenë automatike.

Është e vërtetë që Presidenti s’ka një të drejtë absolute për të shpërndarë Kuvendin, por, pikërisht për këtë arsye, ajo është e kufizuar në mocionin e mosbesimit si kriter për këtë.

Gjykata e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk ekziston fare, sikur fituesi të jetë inekzistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit.

Gjykata paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk po refuzon.

Në disa raste Gjykata në vend të interpretimit është marrë me shkrim e rishkrim të Kushtetutës, psh. në pikat 13 dhe 18.

Formulimet e llojit “... Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky “konsultim” formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi”, apo, “E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi edhe privilegj” përbëjnë shembuj eklatant të kreativitetit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në shprehjen e admirimit të tyre ndaj vendimeve të Presidentit të vendit.

Një vlerësim të plotë e të hollësishëm nga këshilltarët tonë ligjorë do të mund ta kemi pasi ta marrim tekstin e plotë të Aktgjykimit.

Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e zhvlerësoi veten.

Beteja jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të korruptuar.

Për fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat e tjerë politikë do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim.

Pas vendimit kanë reaguar kreu i LDK-së Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.

Isa Mustafa:

Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se Shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon.
LDK, gjthëherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kemi kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë.
Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri.
Vendimi i Gjykatës nuk i destinohet një partie dhe një grupi por një zgjidhjeje kushtetuese, e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen.

I takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë.
Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë. IM

Hashim Thaçi:

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmoi që Kosova është e ndërtuar mbi themele të forta dhe ka demokraci të qëndrueshme, e cila i përgjigjet vullnetit të popullit si tërësi.

Tani duhet sa më parë që të themelohet Qeveria e re, pasi rrethanat kërkojnë një Qeveri funksionale. U bëj thirrje të gjitha institucioneve, të gjitha partive politike, që t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të punojnë së bashku që ta kemi tranzicion të rregullt.

Duhet ta ruajmë rendin kushtetues, integritetin e sistemit të drejtësisë, paqen dhe stabilitetin.

Duhet të përqendrohemi në atë që është kryesorja për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të sjellim zhvillim e prosperitet për të gjithë. HTH

LDK synon të bashkëqeverisë me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe pas shkarkimit të qeverisë Kurti, ndërsa Gashi nuk e komentoi nëse edhe AKR do të jetë pjesë e qeverisë.