Kosova

Vetëvendosja fiton Podujevën, reagimi i parë i Kurtit: Kjo që ka ndodhur sonte është referendum

Vetëvendosja fiton Podujevën, reagimi i parë i Kurtit: Kjo

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë, sipas rezultateve paraprake fitues duket se është kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje. KQZ njoftoi se Shpejtim Bulliqi i VV ka fituar 51.64% të votave, ndërsa Millan Radojevic nga Lista Serbe ka fituar 89.86% të votave në Mitrovicë të Veriut.

KQZ-ja ka bërë të ditur se në këto rezultate nuk përfshihen votat me kusht dhe ato nga diaspora.

Dy kandidatët tjerë për pozitën e kryetarit në Podujevë, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fituar 35.97 %, ndërsa Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 12.40 për qind të votave.

Vetëvendosja fiton Podujevën, reagimi i parë i Kurtit: Kjo

Lidhur me këtë lajm, kreu i VV-së, Albin Kurti u shpreh se me fitoren e Shpejtim Bulliqit në Podujevë nuk ka fituar Vetëvendosja, por populli.

“Kjo nuk është zgjedhje, kjo që ka ndodhur sonte është referendum. Jo vetëm sonte por edhe në të ardhmen në Kosovë do të ketë referendume sepse populli është përcaktuar për Vetëvendosjen. Qeverisja jonë do të jetë pa diskriminim pa privilegje. Ne nuk po e marrim komunën, po ua kthejmë komunën. Do të jemi pranë jush sepse jemi si dhe gjithmonë do të mbetemi si ju”, u shpreh Kurti.

Në Podujevë, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 40.51% e votuesve, apo 35,400 persona. Mandati i kryetarëve të rinj do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në tetor të vitit 2021.

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Brendshëm në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.