Kosova

Video/ Ç'po ndodh në Kosovë? Kreun e OVL të UÇK-së e nisin për Hagë, Eulex bastis zyrat

Video/ Ç'po ndodh në Kosovë? Kreun e OVL të

Një arrestim i bujshëm sot ai i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Kosovë, Hysni Gucati nga forcat e Eulexit. Mediat e Kosovës kanë postuar pamje të momentit kur Gucati niset drejt Gjykatës Speciale të Hagës, ndërsa arsyet mbeten të paqara deri më tani.

Video/ Ç'po ndodh në Kosovë? Kreun e OVL të

Situata e krijuar ka bërë që pranë zyrave të OVL e UÇK-së të mblidhen qytetarë të shumtë të Kosovës teksa protestojnë. Ndërkaq, anëtarë të EULEX-it kanë rrethuar godinat  dhe shihen të armatosur.

Ka qenë vetë avokati i OVL e UÇK-së Tomë Gashi i cili konfirmoi arrestimin e Gucatit dhe dërgimin e tij për në Gjykatën e Hagës.

Bastisjet po vazhdojnë, shkruan në një postim në rrjetet sociale avokati Gashi. Ende nuk dihen arsyet prapa arrestimit të Gucatit, ndërsa avokati ka treguar për Radio Evropa e Lirë se:

“Nuk ka gjasa që rasti ka të bëjë me krime lufte, sepse ai kurrë nuk është marrë në pyetje më herët dhe në bazë të vendimit që e kemi parë, mund të ketë gjasa që ai është arrestuar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë”.

Arrestimi i Gucatit pason arrestimin një ditë më parë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tij.

EULEX-i i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike Zyrës së prokurorit të Specializuar edhe në këtë arrestim.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, në një prononcim për media para zyrave të OVL-së tha se nuk e dinë se për çfarë është arrestuar kryetari Gucati.

Ai i kundërshtoi bastisjet e EULEX-it që janë bërë në zyrat e OVL të UÇK-së.