Kosova

Video/ Xhandarmëria serbe hyn në Kosovë, kryeministri Hoti: Po hetohet! Nuk jeni pa mbrojtje

Video/ Xhandarmëria serbe hyn në Kosovë, kryeministri Hoti: Po

Një video e publikuar një ditë më parë në rrjetet sociale tregonte momentin kur 11 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe hynin në Kosovë, nga Karaçeva e Kamenicës.

Kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, reagoi lidhur me ngjarjen që u denoncua nga deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci.

Hoti shkruan se janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin. Ai deklaron se veprimet e qeverisë do të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

"Lidhur me atë që ka ndodhur dje në Karaçevë, janë angazhuar të gjitha organet përkatëse për të vlerësuar rastin. Shpejt do të kem një raport të detajizuar. Qytetarët tanë në atë pjesë nuk do të jenë pa mbrojtje të institucioneve. Veprimet tona do të jenë në përputhje me kushtetutën dhe ligjin, si dhe të koordinuara me të gjithë mekanizmat e sigurisë në vend", shkruan Abdullah Hoti.

Ndërkohë Policia e Kosovës tha dje se me të marrë këtë informatë ka dërguar njësitet policore në këtë vend për të patrulluar, por se nuk kanë gjetur ndonjë ushtar serb. Policia ka thënë se në zonën e Karaçevës mandatin e sigurisë e ka KFOR-i.