Kosova

Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën! Për lajmin e rremë Thaçi fajëson ambasadoren Vlora Çitaku

Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën! Për lajmin e rremë Thaçi

Xhamajka përgënjeshtron lajmin e publikuar një ditë më parë nga Presidenti Hashim Thaçi, se e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Një ditë pasi Thaçi shprehej i lumtur për një tjetër arritje të realizuar me shumë punë, ministrja e Jashtme e Xhamajkës, Kamina Smith, e ka mohuar me një status në Twitter.

“Deri më tani, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, shkroi ministrja bashkangjitur me statusin e Presidentit të Kosovës.

Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën! Për lajmin e rremë Thaçi

Presidenca reagoi pas përgënjeshtrimit të lajmit, duke thënë se përgjigjen për këtë temë duhet të japin në Ministrinë e Jashtme.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.

Thaçi dha dje lajmin, për të cilin ishte njoftuar nga ambasadorja Vlora Çitaku, ndërsa falenderoi dhe kongresmenin amerikan Eliot Engel.

“Lajm i mrekullueshëm! Sapo jam njoftuar nga ambasadorja jonë Vlora Çitaku që Xhamajka e ka njohur Republikën e Kosovës si sovrane dhe të pavarur. E di që kjo është rezultat i punës së palodhur dhe lobimit të disa viteve, përfshirë Eliot Engel. Punë e shkëlqyer. Faleminderit miq të dashur nga Kingston!”, shkroi Thaçi.

Pas statusit të tij nisën përgëzimet dhe urimet nga krerët e institucioneve.