Kosova

Zbulimi i Birn: Ndryshimi i kufijve i lobuar me paratë e qytetarëve të Kosovës. Historia e kontratës nga ministrja e Haradinajt

BIRN ka bërë një zbulim tronditës për promovim të planit të korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi me paratë e qytetarëve të Kosovës. Media investigative ka zbuluar se në vitin 2019 Ministria e Integrimt Evropian i pagoi 168,000 euro një kompanie me qendër në Paris që promovoi idenë se shkëmbimi i territorit mund të jetë zgjidhja në dialogun Kosovë-Serbi.

Zbulimi i Birn: Ndryshimi i kufijve i lobuar me paratë e qytetarëve

Në vitin 2019 taksapaguesit e Kosovës kanë paguar 168,000 euro kompaninë e PR-it me bazë në Paris të quajtur Majorelle PR & Events përmes Ministrisë së Integrimit Evropian. Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, kompanisë iu kërkua edhe që të lançojë mendimin evropian në favor të asaj që përshkruhet si pozicioni i Kosovës në mbështetje të shkëmimit të territorit si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje Kosovë-Serbi.

Si qëndron konkretisht historia?

Kontrata me Majorelle u nënshkrua dhe u negociua në vitin 2018 nga Dhurata Hoxha, ministre e PDK-së për Integrimin Evropian nën qeverinë e koalicionit PAN të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Kjo kontratë u zgjat më pas në Mars të vitit 2019. Një nga disa rezultatet e prekshme të marra në këmbim të 168,000 eurove ishte një raport i paqartë pesë-faqesh në anglisht që kompania i drejtohej Qendrim Gashit, Ambasadorit të Kosovës në Francë. Materiali mban datën 20 shtator 2019.

Në raport thuhet se: "Rihapja e diskutimeve për paqen është përqendruar në modifikimin e kufirit territorial dhe është hedhur në tryezë çështja tabu për rishqyrtimin e mundshëm të hartës së Ballkanit ..."

Në raport thuhet gjithashtu se rivendosja e kufijve të Ballkanit në tryezën e bisedimeve ishte " befasi, frikë dhe shqetësim për rikthimin e luftës ballkanike", duke shtuar se: "Kjo çështje shpesh është keqkuptuar dhe keqinterpretuar nga media dhe politika franceze, pasi është konsideruar si një rihapje e kutisë së Pandorës dhe rrezik i lartë për 'efekt domino' në rajon. "

Raporti i kompanisë e bën të qartë se ndryshimi i kufijve ishte axhenda që ndiqej nga klienti i saj kosovar.

Në fund të raportit thuhet se përkundër mbështetjes së SHBA-së dhe heqjes së tabusë për këtë temë në Europë, mundësitë për të arritur një marrëveshje Kosovë-Serbi bazuar në ndryshimet e kufijve, të cilat u shtruan në 2018 dhe 2019, po mbylleshin. Sipas Majorelle, kjo për shkak të "përçarjeve të brendshme dhe kundërshtimeve kundër paqes dhe mungesës së mbështetjes nga të dy palët ..."

Historia e idesë!

Ideja e shkëmbimit të territorit u ngrit nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai po merrte pjesë në Forumin Evropian të vitit 2018 në Alpbach, Austri, ishte anëtar në një panel diskutimi me homologët e tij nga Ballkani Perëndimor dhe i pyetur nëse ishte i gatshëm të lëshonte nga territori i Kosovës në këmbim të një zgjidhjeje përfundimtare me Serbinë, Thaçi në mënyrë të gabuar u përgjigj: "Po, unë jam në favor të korrigjimit të kufijve".

Ramush Haradinaj, kryeministër i qeverisë së koalicionit PAN, sulmoi presidentin duke deklaruar kundërshtimin kategorik ndaj ndryshimit të kufijve. Sidoqoftë duket se ai mund të mos ketë qenë në dijeni se një ministri e drejtuar nga qeveria e tij, po merrej me një kontratë lobimi për pozicionin e Kosovës në favor të një marrëveshje paqeje të bazuar në ndryshimet e kufijve.

Dhurata Hoxha, ministrja që hyri në kontratë me Majorelle, është ish-këshilltare e Thaçit dhe një anëtare e shquar e PDK-së, parti që Thaçi e themeloi dhe drejtoi deri sa mori detyrën si president në Prill të vitit 2016.

Kur u kontaktua nga BIRN, Hoxha deklaroi se: "Qëllimi i kontratës ishte të loboja për liberalizimin e vizave, por unë kurrë nuk i kam parë raportet që Majorelle dërgoi. Unë nuk e di se çfarë raportuan, kjo ishte detyra e sekretarit të ministrisë dhe menaxherit të kontratës. "

Kur u pyet se kush ishte menaxheri i kontratës, Hoxha tha se "ka kaq shumë kontrata në atë ministri, sa nuk e di kush e ka mbikëqyrur atë."

Sidoqoftë duke gjykuar nga korrespodenca që BIRN ka parë, përfshirë tre letra për dy sekretarë të ndryshëm, kjo nuk ishte një kontratë e zakonshme. Hoxha ushtroi presion të madh për të nënshkruar kontratën me Majorelle PR & Events.

Në një letër të datës 10 maj 2018, Ministrja Hoxha kërkoi nga Demush Shasha, Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i ministrisë, të fillojë procedurat për të nënshkruar një kontratë me PR & Majorelle Event, pa ndjekur procedurat që kërkon prokurimi publik.

Hoxha argumentoi se kjo kontratë lobuese adreson tre pengesat që ka Kosova për Integrimin Evropian: mosnjohjen si shtet nga pesë shtete anëtare të BE-së (Qipro, Greqi, Rumani, Spanjë dhe Sllovaki), fushata e Serbisë kundër Kosovës dhe Rusia që vazhdon të minojnë agjendën shtetformuese të Kosovës.

Shasha ka pyetur Hoxhën se cilat rrethana mund të justifikojnë ministrinë që anashkalon procesin e prokurimit publik dhe ka argumentuar se lidhja e një kontrate në këtë mënyrë shkel "parimet që sigurojnë cilësi, transparencë dhe konkurrencë". Në një letër të datës 29 maj 2018, Ministrja Hoxha është përgjigjur duke thënë "rrethanat janë të jashtëzakonshme".

Shasha i treguar BIRN se diskutimet për kontratën në ministri filluan që në vitin 2017. "Unë pashë që Dhurata Hoxha ishte nën presion nga dikush për të nënshkruar këtë kontratë, sepse ajo po insistonte ta nënshkruante atë me këtë kompani të veçantë".

Shasha shtoi se ai hulumtoi Majorelle PR & Events dhe nuk zbuloi ndonjë emër të njohur nga bota e diplomacisë evropiane.

"Më dukej e dyshimtë, edhe sepse ministrja po kërkonte nga unë që ta nënshkruaja atë kontratë pa ndjekur ligjin e prokurimit publik. Si sekretar më takonte mua që të vendosja firmën time, por unë nuk do të vendosja emrin tim në diçka që më dukej e shëmtuar".

Shasha i tha BIRN se i shkruajti Agjencisë Kundër Korrupsionit për të pyetur nëse procedura ishte e lejueshme. Ai ka treguar se i shkruajti edhe Safet Hoxhës, kreut të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik, KRPP, i cili tani është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

"Safet Hoxha erdhi të takohej me ministren. Të dy më ftuan në mbledhje duke u përpjekur të më bindnin të nënshkruaj këtë kontratë pasi nuk kishte asgjë të keqe, por unë u largova."

Safet Hoxha nuk e ka mohuar që takimi ka ndodhur dhe ka konfirmuar se shkëmbenin letra për këtë çështje midis KRPP-së dhe Demush Shasha-s.

Shasha i tha BIRN se ai refuzoi të nënshkruajë kontratën e Majorelle dhe një kontratë tjetër që ai e përshkroi si mashtrim, e që e përfshinte ministrinë të paguante shuma të mëdha parash për të marrë me qira një ndërtesë. "Vendosa të hiqja dorë nga ai post një muaj më vonë," tha ai.

Disa muaj pas kësaj, Shasha u zëvendësua si Sekretar i Përgjithshëm në ministri nga Kushtrim Cukaj, kunati i Hajredin Kuci, ish-ministër i Drejtësisë i PDK-së, dhe vëllai i Fisnik Cukaj, partner biznesi i kryetarit të PDK-së Kadri Veseli.

Në maj të vitit 2020, Cukaj u pushua nga Komisioni Disiplinor i Qeverisë së Kosovës. Vendimi i qeverisë për pushimin e Cukaj u justifikua me mungesën e mbikëqyrjes së kontratave të nënshkruara nga ministria nën drejtimin e Dhurata Hoxhës. Vendimi gjithashtu thoshte që kontrata e nënshkruar me Majorelle ishte në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, pasi shërbimet e ofruara nuk korrespondonin me shërbimet e paguara dhe se nuk ishte e qartë se si Majorelle kontribuoi në integrimin e Kosovës në BE.

Haki Abazi, zv / kryeministri i Kosovës që drejtoi Komisionin Disiplinor që shkarkoi Cukajn, i tha BIRN se papërgjegjshmëria e ish sekretarit të përgjithshëm nuk mund të justifikohet.

"Kjo sjellje përkon me një veprim kriminal kundër interesit publik. Është për të ardhur keq që kjo ka ndodhur dhe se prokuroria nuk ka arritur të mbrojnë interesin publik. Zyrtarët dhe politikanët e kanë trajtuar shtetin si pronë private. "

I pyetur nga BIRN nëse ishte i vetëdijshëm se PR & Majorelle Event promovoi idenë e ndryshimit të kufijve, Cukaj tha se nuk është në gjendje të komentojë pasi është larguar nga posti.

Ndërsa Dhurata Hoxha thotë se "sigurisht që është shqetësuese nëse Majorelle PR & Events loboi për ndryshime kufijsh, por askush nuk më njoftoi. Kushdo që e ka menaxhuar këtë kontratë duhet ta kishte sjellë në vëmendjen time, se nuk isha duke u marrë me të. "

BIRN i dërgoi pyetje Kadri Veselit kreut të PDK-së, nëse ishte në dijeni se një ministre nga partia e tij kontraktoi një kompani për të lobuar për ndryshimet e kufijve. Por Veseli nuk ishte në dispozicion për të dhënë komente.

Pyetjet iu dërguan edhe Ramush Haradinajt, kryeministrit të asaj kohe, përmes zëdhënësit të partisë, por as ai nuk ishte në dispozicion për të dhënë komente.

BIRN pyeti Qendrim Gashin, Ambasadorin e Kosovës në Francë nëse Majorelle PR & Events kishte inicuar vërtet artikuj në gazetat franceze që mbështesin ndryshimet e kufijve në Kosovë, dhe nëse Ambasada e Kosovës në Paris i kishte parë këto artikuj ose ka qenë dëshmitar i takimeve ku është lobuar.

Ambasada e Kosovës në Francë i tha BIRN se duhet t'ja drejtonte këto pyetje Ministrisë së Integrimit Evropian, pasi ishte ministria që nënshkroi kontratën. Por ambasadori mohoi kategorikisht që Ambasada e Kosovës në Francë të jetë bashkuar me çdo gjë që mbështet idenë e ndryshimit të kufijve.

BIRN ka kontaktuar me kompannë Majorelle PR & Events, por nuk ka marrë përgjigje deri më tani, kur është publikuar edhe kjo histori. / Përktheu për Tiranapost.al E.B

Artkullin origjinal e gjeni në linkun si më poshtë:

https://prishtinainsight.com/border-changes-promoted-with-taxpayer-money/