Zhduken mbi 2 milionë euro në Thesarin e Shtetit të Kosovës, Ministria e Financave konferencë urgjente
Mbi 2 milionë euro janë marrë nga thesari i shtetit të Kosovës, një skandal që ka pushtuar mediat vendase ditën e sotme. Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një zyrtari të Ministrisë së Financave i cili dyshohet se bashkë me dy persona të tjerë, kanë përdorur thesarin e shtetit duke transferuar shumën me vlerë mbi 2 milionë euro.
Dyshohet se një pjesë e kësaj shume është transferuar jashtë vendit. Dy të dyshuarit e tjerë janë në arrati. Emrat e personave të dyshuar nuk janë bërë ende me dije. Prokuroria e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me këtë rast. Zëvendës-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha ka thënë për mediat e Kosovës se rasti është në fazën fillestare.
Ndërkaq, ministria e Financave e cila nuk e kishte raportuar skandalin pritet të dalë në një konferencë për shtyp adresuar qytetarëve.
Njoftimi nga Policia e Kosovës:
“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.