Kosova

Zhdukja e 2 milionë eurove në Kosovë, ministrja e Financave: Ishte sulm kibernetik

Zhdukja e 2 milionë eurove në Kosovë, ministrja e Financave:

Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami tha sot përpara Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike se transaksioni për transferimin e 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një sulmi kibernetik.

“Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer passwordet. Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici”, tha Bajrami.

Sipas saj transaksioni i parave është një transaksion bankar dhe ka gjurmë për gjithçka.

“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, tha ajo.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pas hetimeve të zhvilluara, ka arrestuar një të dyshuar ndërsa dy të tjerë gjenden në arrati. 

I arrestuari L.G, punëtor i Thesarit të Kosovës, dyshohet se ka bërë transfertën e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës.

Veton Rrecaj, avokati i punëtorit të Thesarit të Kosovës tha se është mbajtar seanca dëgjimore për klientin e tij me kërkesë të masës së paraburgimit, vendimi për  të cilin pritet të merret sot.

Ai ka thënë se klienti i tij dyshohet se ka kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

“Prokuroria paraqiti arsyet apo thënë më mirë tendencën e saj për caktimin e masës së paraburgimit, mirëpo nuk na paraqiti asnjë provë konkrete relevante, e cila do ta mbështeste një pretendim të tillë, mirëpo kërkesa ishte tërësisht e përgjithësuar, e supozuar dhe në asnjë rast nuk pati mundësi ta argumentojë të njëjtën”, ka thënë Rrecaj para gazetarëve.

Lajmi i bërë publik pasditen e djeshme ka shkaktuar jo pak bujë në mediat vendase dhe ato rajonale për lehtësinë me të cilën i akuzuari ka kryer krimin./REL