Vrasje dhe të shtëna me armë, ç’po ndodh në vend në 24 orët e fundit
Ditët e qeta të gushtit janë tronditur nga një sërë përplasjesh mes grupesh mafioze, por edhe shpërthime të çastit.
Sot në mëngjes dy persona mbetën të vrarë në një atentat me armë zjarri në mbikalimin e Panajasë në Vlorë. Autorët, të cilët dyshohet se janë vrasës më pagesë, i kanë prerë rrugën makinës tip ‘Mercedez Benz’ më të cilën udhëtonin dy viktimat, Geno (Shpati) Lena dhe Hakim Xhezo, mbi të cilët kanë zbrazur 30 plumba me kallashnikovë, duke i lënë të vdekur në vend.
Mbrëmjen e djeshme një tjetër krim tronditi Elbasanin, ku 33-vjeçari Madrit Ulqinaku, babai i një vajze mbeti i vdekur në vend pasi u qëllua me armë zjarri sapo doli nga lokali ku po pinte kafe, në afërsi të Bulevardit kryesor të qytetit. Shkak për këtë ngjarje të rëndë mendohet të ketë qenë një debat i çastit mes viktimës dhe autorit, një 18-vjecari ende në arrati.
Po mbrëmë në Sarandë, në lagjen nr. 1 të qytetit, pas një konflikti të çastit për një vend parkimi, dy vëllezër banues në Laç dhe të punësuar përkohësisht në Sarandë kanë goditur me thikë 41-vjeçarin Klodian Bakiaj, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ndërroi jetë në spital.
Ngjarjet të cilat pasojnë atentatin mafioz në mbikalimin e Fushë-Krujës një muaj më parë me tre të vrarë: Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, kanë tronditur opinionin publik.
Vetëm gjatë 8 muajve të parë të këtij viti në Shqipëri kanë ndodhur 42 atentate dhe janë shënuar 24 të vdekur si edhe 23 të plagosur.