Aksident i rëndë në autostradën Levan-Tepelenë, humbin jetën 2 persona, plagosen 4 të tjerë
Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Levan-Tepelenë, ku dy automjete tip “Zafira” dhe “Ford” janë përplasur në vendin e quajtur Buzmadh.
Burimë pranë vendit të ngjarjes bëjnë me dije se si pasojë e përplasjes fatale kanë humbur jetën 2 persona, njëri prej tyre punonjës i FNSH-së, Sokrat Lela, 54 vjeç, ndërsa kanë mbetur të plagosur 4 persona të tjerë, 3 prej tyre anëtarë të një familjeje, ndërsa një grua është në gjendje kome.
Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje.
Informacioni paraprak i Policisë:
Sot rreth orës 20:20, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në fshatin Buzëmadh, janë përplasur automjetet tip “Zafira” dhe “Ford”.
Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë dy shtetas dhe janë plagosur katër të tjerë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit, si edhe identifikimin e personave që janë plagosur dhe kanë ndërruar jetë.