Kronikë e zezë

I dënuar prej 9 vitesh në Spanjë për vjedhje me dhunë, arrestohet në mes të qytetit të Laçit drejtori i Ujësjellësit

I dënuar prej 9 vitesh në Spanjë për vjedhje me dhunë,

Kërkohej që prej vitit 2013 nga shteti spanjoll pasi ishte dënuar në mungesë për një vjedhje me dhunë në këtë vend, por prej vitesh ushtronte qetësisht detyrën e drejtorit të Ujësjellësit të Kurbinit. Vetëm ditën e sotme Policia e Shtetit i ka vënë prangat drejtorit të Ujësjellësit Alfred Prodani, i cili do të ekstradohet për llogari të Spanjës ku do të vuajë dhe dënimin për veprën penale për të cilën është dënuar 9 vite më parë.

Policia ka publikuar video nga momenti i arrestimit të drejtorit të Ujësjellësit të Kurbinit, Alfred Prodani. Ai ka qenë i ulur në një lokal, teksa nuk ka bërë rezistencë në momentin që policia i ka njoftuar vendimin për arrestimin.

Në njoftimin zyrtar për mediat Policia e Lezhës bën me dije se Prodani është arrestuar për llogari të INTERPOL.

“Në kuadër të operacionit policor të koduar “Coruna”, forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Interpol Tirana, kapën dhe arrestuan në qytetin e Laçit, me qëllim ekstradimi drejt Spanjës, shtetasin A. P., 41 vjeç, banues në Kurbin. Ky shtetas, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Coruna/Spanjë, në vitin 2013, ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës”, njofton Policia.

Emri i drejtorit të Ujësjellësit të Lezhës është lakuar 3 vite më parë në disa media pas denoncimit nga ish-Kryeministri Berisha se Alfred Prodani së bashku me një tjetër drejtor në Bashkinë e Laçit ishin pjesë e një grabitjeje në banesën e yllit të Realit të Madridit, Karim Benzema, por Prodani i ka hedhur poshtë akuzat.