Kronikë e zezë

Kushëriri i deputetit të PS i shpëton atentatit në Shkodër: U qëllua teksa lëvizte me makinë

Kushëriri i deputetit të PS i shpëton atentatit në

Kushëriri i deputetit të PS të Shkodrës i shpëtoi një atentati mesditën e kësaj të hëne. Ngjarja ndodhi në fshatin Kuq në Vukatane të Shkodrës, ndërsa sipas policisë shënjestra ishte Fatjon Harusha, 30 vjeç, ky i fundit raportohet nga ‘Report Tv’ se është djali i xhaxhait të deputetit të PS, Luan Harusha.

Ngjarja ndodhi ndërsa i riu po udhëtonte me makinën tip 'Hyundai' fuoristradë, kur dy persona që po lëviznin me motoçikletë, një vajzë dhe një burrë, hapën zjarr në drejtim të tij.

Ai arriti të shpëtonte duke manovruar, gjë që bëri të dilte nga rruga. 30-vjeçari Harusha nuk u prek nga plumbat dhe nuk ka marrë asnjë lëndim.

Dy personat me motoçikletë janë larguar, ndërsa policia ka ngritur postblloqe në aksin që lidh Gurin e Zi me Vaun e Dejës, për të rënë në gjurmët dhe kapjen e autorëve si dhe vijon krehja e zonës. Deri më tani janë shoqëruar disa persona.

Në vendin e ngjarjes grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkakut të atentati dhe autorëve.