Kronikë e zezë

“Më ra telefoni nga dora”, gazetari sportiv tregon si e mësoi lajmin për aksidentin e vajzës

“Më ra telefoni nga dora”, gazetari sportiv tregon si e

Pas aksidentit tragjik që ndodhi në aksin Tiranë-Elbasan, ku dy vajza humbën jetën dhe dy të tjera u plagosën rëndë, ka reaguar babai i Denisa Dibrës, Edmond Dibra.

Përmes një interviste për “Report Tv” ai ka treguar momentin se si mori lajmin lidhur me ngarjen e rëndë. Edmond Dibra tha se ishte i shqetësuar se vajza nuk e kishte telefonuar dhe kishte vendosur që ta telefononte vetë, por telefonin e kishte hapur dikush tjetër, i cili i kishte thënë se vajza e tij ishte jashtë rrezikut për jetën. Ai shtoi se kishte qenë vajza, Denisa ajo që i kishte kërkuar qytetarit të merrte në telefon babanë e saj.

“Si zakonisht mbrëmjeve ulemi me bashkëshorten pimë kafen nga ora 19:00, pyeta gruan si ka mundësi mos marrë vajza në telefon. E mora dhe dikush më doli në telefon, e pyeta kush ishte dhe më tha që ishte një qytetar së cilit vajza i kishte thënë merr babain në telefon. Ishte momenti kur kishte marrë zjarrfikësit dhe kishin nxjerrë vajzën nga makina, kam lëshuar telefonin në tokë dhe jam nisur drejt spitalit të Traumës Nuk do t’ia dëshiroja asnjë familje këtë tragjedi. Falenderoj Zotin që vajza është jashtë rrezikut për jetën, ka plagë të rënda, por ndodhet jashtë rrezikut. Katër vajzat u nisën për të festuar ditëlindjen e Lusindës e cila do të ishte edhe dita e fundit e saj”, tha Dibra.

Ai gjithashtu ka treguar edhe reagimin e parë të vajzës së tij, e cila sipas tij nuk e kujton momentin tragjik, por ka kërkuar shoqet e saj.

“Në 5 të mëngjesit vajza ime, Denisa ka pasur reagimin e saj të parë. Ka komunikuar drejtpërdrejt me mua. Nuk e kujton momentin tragjik, por kur është përmendur ka kërkuar shoqet e saj. Kjo është diçka e mirë sipas mjekëve sepse i kujtohet pak a shumë ngjarja”, shtoi Dibra.

Denisa Dibra, e cila ishte drejtuesja e mjetit 'Volkswagen', është vajza e gazetarit sportiv të RTSH-së në Shkodër, Edmond Dibra.

E plagosura tjetër është Nervida Garunja, 24 vjeç, ndërkohë që nga aksidenti mbetën të vdekura Lusinda Garunja, 19 vjeç dhe Xhaneta Qallia, 18 vjeç, të cilat ishin pasagjere në pjesën e pasme të makinës.