Kronikë e zezë

Me shpejtësi deri në 172 km/h, Policia vendos makina inteligjente në rrugë

Me shpejtësi deri në 172 km/h, Policia vendos makina inteligjente

Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm, makina inteligjente e Policisë e cila ka monitoruar qarkullimin në qarkun e Fierit, si dhe radarët dhe lexuesit automatikë të targave kanë kapur të paktë 93 mjete me shpejtësi tej cdo norme të qarkullimit rrugor që shkon deri deri në 172 km/h.

Policia bëri të ditur sot se makina inteligjente e Njësisë Operacionale të Policisë Rrugore dhe radarët e tjerë që ka në dispozicion Policia Rrugore kanë skanuar 93 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit nga 3 deri në 9 muaj, janë ndëshkuar me masë administrative nga 10.000 deri në 30.000 lekë të rinj, si dhe u janë zbritur nga 9 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.

Masat administrative u vendosën jo vetëm ndaj këtyre drejtuesve të mjeteve, por edhe ndaj 123 drejtuesve të tjerë mjetesh që makina inteligjente skanoi gjatë punës së saj, për shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit te lejes së drejtimit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, ndërsa thotë se aksione të këtij lloji nuk janë të përkohshëm, por do të vijojë pandërprerë.

Ajo shton se të gjitha akset rrugore të vendit do të monitorohen me makinën inteligjente dhe me flotën e pajisjeve të reja të Policisë Rrugore, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, në rrugë.

Çfarë është makina inteligjente?

Është një pajisje radar e prodhuar në vitin 2020 dhe shërben për matjen e shpejtësisë. Ajo konstaton mos vendosjen e rripit të sigurisë dhe përdorimin e aparatit celular. Gjithashtu arrin të kapë deri në 6 korsi njëherësh dhe transferon në serverat e policisë. Kjo makinë ka si qëllim shkëputjen e kontaktit mes punonjësve të policisë dhe shoferëve në shkelje.