Kronikë e zezë

Më tha ‘grek’! Autori i vrasjes në Gjirokastër rrëfeu para grupit hetimor krimin

Më tha ‘grek’! Autori i vrasjes në Gjirokastër
Autori Mihal Thimjo

Mësohen detaje të reja për ekzekutimin e 57-vjeçarit Gëzim Saraçi ditën e djeshme në Gjirokastër. 33-vjeçari Mihal Thimjo, autori i ngjarjes i cili u vu në prangat e policisë, mësohet se ishte muzikant nëpër dasma, ndërsa më herët kishte punuar edhe me mjete të tonazhit të rëndë.

Sipas raportimeve, autori e ka pranuar krimin duke deklaruar se viktima i kishte thënë ‘grek’, shprehje të cilën ai e ka marrë si ofendim dhe më pas konflikti mes tyre ka marrë përmasa tragjike.

Autori dhe viktima kanë qenë në gjendje të dehur në momentin e krimit pasi po ktheheshin nga një drekë ku kishin qenë së bashku. 57-vjeçari Saraçi ka goditur i pari Thimjon, i cili është kundërpërgjigjur duke e goditur me levë. Autori 33-vjeçar është i plagosur në shpatull dhe në këmbë.

Thimjo u arrestua nga policia 6 orë pas ngjarjes së rëndë, në automjetin e tij duke udhëtuar në një rrugë nacionale pasi kishte ndërruar rrobat e krimit në një banesë.

Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet gjatë kërkimeve janë gjendur në një banesë tjetër rrobat me të cilat viktima ka kryer krimin, të cilat dyshohet t’i ketë ndërruar për të humbur nga gjurmët e policisë.

Ai është kapur pas aksionit të 50 forcave policore të cilat bënë krehjen e zonës dhe kontrolle në disa ambiente dhe banesa të dyshuara.

Viktima Gëzim Saraçi dhe Mihal Thimjo kishin njohje të vjetër familjare mes tyre.