Kronikë e zezë

Askush nuk e kërkonte, se e ‘dinin’ të rrëmbyer në Turqi! Historia tronditëse e 23-vjeçares që u vra nga babai dhe i vëllai

Askush nuk e kërkonte, se e ‘dinin’ të rrëmbyer

Për tetë vite vdekja e 23-vjeçares Eglantina Buci mbetej mister, derisa ditën e djeshme pas hetimeve, u arrit në përfundimin se ajo ishte vrarë nga babai Faiku dhe i vëllai Shkëlzeni, pasi ishte larguar nga shtëpia për të bashëkjetuar me një djalë pa dëshirën e tyre. Nga hetimet janë zbardhur detaje të rënda për mënyrën se si u krye ekzekutimi dhe se si dy autorët e mohonin prej vitesh.

Askush nuk e kërkonte, se e ‘dinin’ të rrëmbyer
Eglantina Buci

Si ndodhi krimi:

Vajza është marrë te zona e Freskut nën kërcënimin e armës dhe është ekzekutuar në Malin me Gropa, ku menjëherë pas krimit vëllai i viktimës e ka lënë trupin aty dhe është larguar. Pas tre-katër ditësh, i ati dhe vëllai i viktimës janë rikthyer në vendngjarje, kanë marrë trupin e pajetë të të resë dhe e kanë groposur rreth 500 metra më tej, nga frika se banorët e zonës mund ta gjenin.

Si u gjet trupi i pajetë:

Pas një muaji, një gjuetar ka gjetur pjesë eshtrash të 23-vjeçares, të cilat ishin nxjerrë nga kafshët e egra. Nisur nga eshtrat e sekuestruara dyshohet se viktima është ekzekutuar me një plumb në kokë, që përshkon nofullën e majtë dhe del në pjesën e pasme të kafkës.

Pse u rihapën hetimet për Eglantinën:

Asnjë kallëzim nga familjarët për humbjen e Eglantinës, zhdukjen e saj apo kontaktet e munguara me familjen, nuk ishte bërë nga momenti i krimit. Ende edhe sot në regjistrin e gjendjes civile apo atë të votuesve Eglantina e lindur në 14 tetor 1989 është e gjallë. Askush nuk e dinte ku ndodhej, deri sa pesë vite pas krimit në vitin 2017 në policinë e Tiranës pas arrestimit të vëllait të saj si person i dyshuar për vrasje me pagesë erdhi informacioni i parë: "Shihni se Shkëlzeni me të atin kanë vrarë edhe Eglantinën”.

Si e justifikoi babai mungesën e vajzës:

Faik Buci duke fshehur krimin dha versionin se vajza e tij ishte punonjëse seksi në Turqi dhe ish rrëmbyer nga një grup i rrezikshëm me të cilin policia s'duhej të merrej. Oficerët këmbëngulin: Nëse ju na jepni të dhëna ne e ndjekim këtë hetim, ndaj ku është Eglantina, përse se keni deklaruar të rrëmbyer? Por pa hequr dorë nga versioni i tij, Faik do të përgjigjej. Ajo s'është më pjesë e imja ndaj nuk kam se çfarë të them ndodhet në Turqi.

Familjarët nuk flasin

Gjatë mbrëmjes së kaluar, janë thirrur në polici rreth 8 familjarë dhe të afërm të vajzës, të cilët janë pyetur nëse kanë pasur dijeni mbi ngjarjen e ndodhur më 2012-ën. Të gjithë familjarët, përfshi edhe nënën e viktimës, kanë thënë se nuk kanë pasur dijeni për vendndodhjen e vajzës, që prej vitit 2012.

Faik Buci është arrestuar me akuzën e vrasjes për rrethana familjare, moskallëzimit të krimit, zhdukjes së kufomës e armbajtës pa leje. Në të njëjtën akuzë është edhe i biri i tij Shkëlzen Buci i cili po vuan një tjetër dënim me 13 vite dhe ndodhet në qeli, ndërsa pritet që ditën e hënë atyre t'u komunikohet në gjykatë masa shtesë.