Kronikë e zezë

Nuk iu bind urdhrit të policit por e aksidentoi me makinë! I riu probleme me drejtësinë që kur ishte 24 vjeç

Nuk iu bind urdhrit të policit por e aksidentoi me makinë! I riu
Foto ilustruese

Një 32-vjeçar u kap pas një orë ndjekjeje nga policia, ndërsa nuk iu bind urdhrit të këtyre të fundit për të ndaluar për një kontroll.

Klevis Balloku nga Fushë-Kruja kundërshtoi dhe aksidentoi me makinën e tij ‘Audi’ një efektiv policie, i cili i bëri shenjë që të ndalonte. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë, në një nga pikat e kontrollit e ngritura në kuadër të Planit të Masave, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri.

Pas sinjalit të efektivit, Balloku u largua me shpejtësi duke aksidentuar punonjësin e Policisë Rrugore, i cili është dërguar në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Pas një ore, policia mundi të arrestonte autorin, i cili është një person me precedent të theksuar kriminalë.

Në 2 prill të 2014-s, Klevis Balloku ka marrë peng familjen e vet e për rrjedhojë, i vëllai Gentian Balloku e plagosi me armë.

Ngjarjet ku ka qenë i përfshirë:

Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes në Vinjollë të Laçit. Klevis Balloku, i plagosur me armë zjarri, ishte dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Më herët, i riu kishte marrë peng familjen e vet. Për këtë ai ishte dënuar me vetëm 6 muaj burg pasi gjykata e kishte nxjerrë me problemet mendore.

Autori i plagosjes së Klevis Ballokut ishte pikërisht vëllai i tij Gentian Balloku dhe dyshohet se arsyeja e plagosjes ishte pikërisht pengmarrja e familjes.

Gjithashtu, në vitin 2012 Klevis Balloku ka qenë i dënuar me 3 vite burg në Greqi.

Pas mbarimit të dënimit u kthye në Shqipëri, ku u kap nga policia me 26 kile drogë, armë e municione.