Plagosja e 40-vjeçarit me thikë në ‘Bllok’, Policia: Ja pse ngjarja nuk u raportua
Media të ndryshme sot publikuan lajmin, por edhe pamjet e rënda me video nga spitali i Traumës (të cilat Tiranapost nuk i poston), të një 40-vjeçari të plagosur me thikë.
Ngjarja ka ndodhur ditën e shtunë në një nga lokalet e Bllokut, në kryeqytet. E. Dorzi është goditur 27 herë me thikë.
Ngjarja nuk u raportua nga Policia. Pas akuzave të mediave të ndryshme për fshehje të ngjarjes, Policia në një deklaratë për shtyp sqaron se është mbajtur e fshehur për arsye hetimore.
Njoftimi i Policisë:
“Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një shtetas të plagosur me mjet prerës, në një lokal, në rrugën “Vaso Pasha”, ju sqarojmë se ngjarja nuk është fshehur, por për arsye hetimi, me qëllim identifikimin e autorëve, nuk është bërë publike. Në lidhje me këtë ngjarje, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, është punuar intensivisht për identifikimin e autorëve. Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë shpallur në kërkim shtetasit M. H., 27 vjeç dhe E. H., 27 vjeç, pasi kanë goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spitalin, nën kujdesin e mjekëve."