Ja çfarë thotë Policia për ngjarjen e rëndë në Don Bosko ku mbeti e vrarë një grua nga sulmi me armë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin sot. Nga një makinë, jashtë një lokali në Don Bosko është qëlluar me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e sotme. E vdekur ka mbetur banakierja e lokalit dhe janë plagosur 5 persona. Një fëmijë është lënduar në dorë nga copat e xhamit. Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Traumës. Ngjarja ka ndodhur në lokalin e Fatjon Muratit, emër i njohur për drejtësinë.
Policia ka dalë me një njoftim, ku identifikon viktimën, të plagosurit dhe sqaron se janë ngritur pika kontrolli në Tiranë dhe katër qytete të tjera për të gjurmuar autorët e atentatit.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Më datë 12.03.2023, rreth orës 21:05, në rrugën “Ananstas Shundi”, në lokalin në pronësi të shtetasit F. M., në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasja Mimoza Paja, rreth 60 vjeçe, banakierja e lokalit, si dhe janë plagosur shtetasit S. M., 50 vjeç, A. M.,42 vjeç, E. S., 47 vjeç, E. B., 45 vjeç, G. Sh., 55 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu është lënduar në dorë nga ciflat e xhamave, një e mitur 10-vjeçare.
Për hetimin e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në gjithë territorin ku dyshohet që mund të kenë lëvizur ose ku mund të fshihen autorët.