Kronikë e zezë

Dy pistat e hetimit për vrasjen e Regis Runajt

Dy pistat e hetimit për vrasjen e Regis Runajt

23-vjeçari Regis Runaj, që u gjet i pajetë një ditë më parë në afërsi të varrezave në Elbasan, dyshohet se është rrëmbyer dhe më pas është ekzekutuar në vendin ku u gjet i pajetë.

Nga kontrolli i celularit të viktimës janë veçuar numrat e fundit me të cilët ka biseduar i riu, ndërsa grupi hetimor është ndalur tek tre persona për të verifikuar nëse ndonjëri prej tyre e ka telefonuar qëllimisht për ta nxjerrë në pritë. Kjo për shkak se tre telefonatat përkojnë të jenë bërë me orarin kur mendohet të jetë vrarë i riu.

Në vendin ku u gjet i pajetë Regis Runaj policia ka zbuluar shenjat e frenimit të një makine. Sipas grupit hetimor, ai është marrë me automjet nga një vend ende i papërcatkuar, për t’u dërguar më pas në lagjen “Emin Matraxhiu”.

Policia po heton në dy pista, ndërsa të dyja lidhen me miqësinë e viktimës me Emiljano Ramazanin, i ekzekutuar në mënyrë mafioze pasditen e 20 korrikut po në Elbasan.

Sipas njërës prej tyre, policia dyshon se shkak të jetë prishja e pazareve të drogës apo konfliktiket për ndarjen e territorit. Ndërsa tjetra është dyshimi se Runaj u ekzekutua nga grupi rival për shkak se mund të ketë pasur ndonjë informacion rreth konflikteve që ka pasur Emiljano Ramazani, apo dijeni rreth autorëve që ekzekutuan atë.

Regis Runaj u masakrua me mbi 25 thika në trup, në zemër, fyt, fytyrë dhe qafë.