Kronikë e zezë

Shoqja e Eglantina Bucit zbulon detaje të reja: Më tha që babai dhe vëllai ishin betuar se do ta vrisnin

Shoqja e Eglantina Bucit zbulon detaje të reja: Më tha që babai

Të tjera detaje kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e Eglantina Bucit, 23-vjeçares që u gjet e groposur në Malin me Gropa.

Përmes emisionit “Me zemër të hapur”shoqja e Eglantinës, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, ishte njohur me 23-vjeçaren në Qendrën e Rehabilitimit për gratë e dhunuara dhe trafikuara në Linzë.

Ajo tha se ishte njohur me Eglantinën në muajin shtator të 2010-ës.
“Unë e mbaj mend shumë mirë sepse ajo nuk fliste me familjarët e saj, as me mamanë as me babanë, ajo i kishte frikë. Kemi qenë të gjitha grup dhe duhet të ketë edhe punonjëse sociale që e vërtetojnë këtë”, tha shoqja e Eglantinës.
Shoqja e Eglantinës tregon gjithashtu një prej netëve kur një nga vajzat e rehabilituara kishte ditëlindjen, kishin ardhur në qendër dy persona dhe se Eglantinën e kishte marrë punonjësja sociale.

Ajo shton se askush nuk e dinte se cilët ishin personat, por të nesërmen Eglantina kishte thënë se kishin qenë babai dhe vëllai i saj, të cilët ishin betuar se do ta vrisnin.

Rrëfimi i një të penduari në 2017-ën hodhi dritë mbi ngjarjen tragjike të zhdukjes së Eglantina Bucit nga familja e saj, përkatësisht babai dhe vëllai. I dyti akuzohet sot si vrasësi i 23-vjeçres dhe i pari si ideatori i ngjarjes së rëndë.

Pjesë nga Intervista:

Ajo nuk ka folur me ju nëse ka dashur të fejohej me një djalë që familja nuk e donte?

-Nuk kam informacion për këtë pjesë. Psikologia na thoshte që është një vajzë në gjendje të keqe që mund të ketë marrë edhe drogë, ndaj lëreni të qetë, mos i bëni pyetje.

Ju keni informacion se ku e kishte gjetur policia Eglantinën?

-Jo nuk kam. Eglantina kishte një sjellje ndryshe, nuk ishte e qetë, qante shpesh. Ishte e stresuar dhe shihej shpesh të hante thonjtë.

Në lidhje me babanë dhe vëllanë çfarë ju ka treguar?

Kur ne bëheshim grup tregonim historitë tona. Ajo ka treguar se ishte e vetmja që kishte frikë mos e vriste vëllai ose babai. Sapo fillonte të fliste stresohej. Një natë një vajzë kishte ditëlindjen dhe ne u bëmë bashkë. Qendra kishte roje dhe punonjëse sociale. Atë natë erdhën dy persona dhe Eglantinën e mori punonjësja sociale. Ne na shpërndanë dhe na thanë se nuk kishte festë. Ne nuk e dimë se kush ishin, por Eglantina të nesërmen tha se babai dhe vëllai i saj ishin betuar me kohë se do ta vrisnin dhe se kishin qenë ata në qendër. Unë nuk kisha shumë muhabet me të, por kishte vajza të tjera që flisnin me të.

Le të flasim pak për incidentin e Shkollës së Bashkuar?

Unë nuk di gjë për këtë, kam dëgjuar vetëm në media.

Eglantina kishte vjedhur një shumë parash kishte ikur nga shtëpia me një djalë në hotel?

Për vjedhjen e parave babai ka bërë denoncim tregonte Eglantina. Disa goca të tjera kishin më shumë muhabet me të. Ajo thoshte: “Mora lekë nga familja. Shkova me atë, tani jam ndarë. Kam një lidhje tjetër.

A ju tregoi Eglantina nëse i kishte shpenzuar paratë?

Jo, nuk ka treguar.

Po në lidhje me lëndët narkotike ju ka treguar diçka gjatë terapisë?

Jo, ajo vetë nuk e ka shprehur, por ajo pinte shumë duhan dhe ne gjithnjë i jepnim.

A ka folur ndonjëherë për familjarët e saj?

Ndoshta me vajzat e tjera ka folur, por unë nuk di gjë.

A e mban mend largimin e Eglantinës nga qendra?

Unë e kam lënë atë në qendër dhe jam transferuar në një qendër në Vlorë. Nuk e besoj që është larguar me dëshirë nga qendra.