Si i mbajti bashkëshorten dhe dy djemtë ngujuar 6 vjet brenda shtëpisë, 52-vjeçari në Tiranë
Një histori dramatike është bërë publike sot. Bëhet fjalë për një familje të tërë të mbajtur ngujuar nga kryefamiljari.
Gjergj Laçi, 52 vjeç mbajti për 6 vjet brenda katër mureve të shtëpisë, bashkëshorten e tij dhe dy djemtë. Dy djemtë nuk i lejoi të ndiqnin as gjimnazin.
Historia u denoncua nga familjarët e bashkëshortes së tij dhe sot u bë i mundur arrestimi.
Sipas dëshmive të para., 52 vjeçari u thoshte familjarëve se nuk i lejonte të dilnin nga shtëpia, pasi infektoheshin. Nuk është e qartë nëse ngujumi është përforcuar nga virusi Covid-19.
Familja jetonte në kushte të vështira me disa ushqime nga familjarët.
Shtëpia në fund të rrugës “5 Maji” ku banonin nuk kishte as drita, as ujë dhe as televizor dhe dritaret ishin të mbyllura.
Gruaja dhe djemtë mbaheshin brenda nën frikën dhe terrorin e armëve.
Kontrolli policor gjeti në shtëpi armë të ftohta dhe disa fishekë.
Sipas dëshmitarëve Laçi dilte vetëm për faljen e xhumasë (të premtes), por prej 6 muajsh nuk dilte më as vetë nga banesa.
52-vjeçari është arrestuar, ndërsa gruaja dhe fëmijët janë dërguar në një qendër rehabilitimi.