Kronikë e zezë

Telefonata e fundit që bëri/ Kamerat e sigurisë kapin momentin kur efektivi i FNSH-së flet me autorët para se ta vrisnin

Telefonata e fundit që bëri/ Kamerat e sigurisë kapin momentin

Detaje të reja janë mësuar nga vrasja e efektivit të policisë Xhulio Prela, ngjarje që ndodhi mëngjesin e së shtunës në superstradën Lezhë-Milot.

Kamera e sigurisë e një biznesi filmoi momentin kur 26-vjeçari u afrua dhe bisedoi me autorët, por për shkak se aty pranë ka qenë i parkuar një mjet i tonazhit të rëndë, identifikimi i makinës së autorëve është i vështirë dhe pamja është e penguar.

Dyshimet janë se efektivi i policisë ka komunikuar në telefon para se të vritej, pasi ndonëse kishte përshkuar disa metra rrugë në drejtim të Tiranës është kthyer sërish në vendin ku po e prisnin autorët pranë fshatit Gajush të Lezhës. Filmimet e kamerës së sigurisë janë dërguar për analizim të specializuar bashkë me telefonin e viktimës.

Telefonata e fundit që bëri/ Kamerat e sigurisë kapin momentin

Familjarët dhe bashkëpunëtorët e 26-vjeçarit kanë deklaruar para hetuesve se i riu ishte njeri i qetë dhe nuk kishte shfaqur shqetësime për ndonjë konflikt të mundshëm. Pista kryesore që po hetohet është ajo e ndonjë konflikti personal që mund të ketë pasur 26-vjeçari me ndonjë person gjatë ditëve të fundit, por që nuk i është rrëfyer familjareve apo shokëve të tij. Gjithashtu po verifikohet edhe veprimtaria e vëllait të viktimës, i cili prej disa kohësh është emigrant në Britaninë e Madhe.

Policia deri më tani ka shoqëruar 15 persona lidhur me vrasjen e efektivit. Babai i viktimës ka rrëfyer se ka takuar të birin dhe kanë darkuar së bashku, por më pas 26-vjeçari, Xhulio Prela, ishte nisur drejt Rinasit për të pritur një mik.

Ndërkohë, i pyetur lidhur me ngjarjen, miku i tij (shok i të vëllait që kishte mbërritur nga Londra) tha se gjatë rrugës 26-vjeçari nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim dhe nuk kishte bërë asnjë telefonatë.

Ndërkohë, babai i tij përjashton mundësinë e përfshirjes në vrasje të mikut që i riu priti në Rinas. Martin Prela shprehet se nuk kishin hasmëri, por që i biri kishte disa presione për shkak të punës për çështjet që ishin mbyllur me kohë.