Kronikë e zezë

Tentuan të kalonin 21 kilogramë kanabis në Greqi, arrestohen dy shtetas në Korçë

Tentuan të kalonin 21 kilogramë kanabis në Greqi, arrestohen dy

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Pusteci” dhe janë sekuestruar 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis. U vunë në pranga 2 shtetasit që u kapën duke tentuar ta trafikonin lëndën narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë.  

Operacioni u krye nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Korçë, Policia Kufitare dhe shërbimet e Frontex-it, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Të arrestuarit janë R. N., 41 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë dhe I. M., 54 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”).

Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në afërsi të fshatit Cerje, Pustec, në kufirin e gjelbër me Greqinë, me dy çanta shpine, brenda të cilave u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi të cilën këta shtetas po tentonin ta trafikonin në drejtim të Greqisë.

Po punohet më tej për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.