Kronikë e zezë

Zbardhet grabitja në Fushë Krujë. Kush janë autorët dhe çfarë iu gjet në banesë

Zbardhet grabitja në Fushë Krujë. Kush janë autorët dhe

Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar për operacionin e quajtur “Kasaforta”.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë, Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit të Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, zhvilluan operacionin policor “Kasaforta”, për dokumentimin ligjor, kapjen dhe ndalimin e personave të dyshuar.

U arrestua mëngjesin e sotëm në flagrancë shtetasi Saimir Kuçi, banues në Tiranë, ndërsa shtetasi Artan Prenga është shpallur në kërkim.

Gjatë kontrollit të këtyre banesave në Zonën e Kombinatit dhe Unazës së Re, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 14 telefona, një palë pranga, armë të ftohta, lëndë narkotike, 1 bllokues valësh, pajisje elektronike, detektor për kërkim sendesh të çmuara, një maskë bashkë me doreza, ora të markave të ndryshme me vlerë, bizhuteri floriri, koleksion monedhash (60 monedha të vjetra të shteteve të ndryshme).

Shtetasi Artan Prenga, në bashkëpunim me persona të tjerë, është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 24.10.2021, në fshatin Nikël të rrethit Krujë, ku u dhunua biznesmeni Nazmi Çangu, u terrorizuan familjarët e tij dhe u vodh kasaforta me 100 mijë euro dhe një sasi të konsiderueshme të sendeve me vlerë.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për veprime të mëtejshme.