Aktualitet

Kryebashkiaku i Shijakut flet për përgjimet: Nuk e takova Astrit Avdylajn

Esencë editori/ Kreu i Bashkisë së Shijakut, Ardian Kokomani, bëri një telefonatë në emisionin “Opinion” për të sqaruar pozicionin e tij në telefonatën e publikuara gjatë një përgjimi me Astrit Avdylaj, nga gazeta gjermane "Bild". Ai thotë që nuk shkoi në takim dhe është i hapur para drejtësisë shqiptare.
Kryebashkiaku i Shijakut flet për përgjimet: Nuk e takova Astrit

Blendi Fevziu: Pse i jeni bindur Astrit Avdylajt?

Ardian Kokomani: Nuk jam i bindur ndaj atij dhe askujt, unë jam kryetar i bashkisë. Zotëria më ka telefonuar mua sipas atij përgjimi, sepse në memorien time se mbaj mend si telefonatë. Dhe ju e shikoni shumë mirë që takimi me mua prezent nuk është bërë. Ishte telefonatë e zakonshme me njerëz të zakonshëm.

Ju thirri në mënyrë shoqërore apo për të thënë diçka?

Mund ta analizoni si të doni. Me mua s’ka pirë kafe.

Me çfarë të drejte një individ pa status ju telefonon dhe ju thotë ejani në një takim me Dakon?

Interpretojeni si të doni. Unë s’jam takuar asnjëherë dhe s’kam qenë në asnjë takim ku ai ka qenë prezent. Axhendën time e them me çdo njeri, nuk është sekret.

Je thirrur në Prokurori nga momenti që është bërë ky përgjim?

Jo. Jam befasuar sot, se me memorien time 2-vjeçare nuk mbaj mend të kem bërë këtë komunikim.

Media tha se nuk keni kandidur se jeni kërcënuar?

Jo, s’kam marr asnjë kërcënim. Do të më keni transparent për çdo përgjim edhe para Prokurorisë. Mesa e njoh legjislacionin, s’e di nëse jam objekt hetimi. Në memorien time skam komunikime me zotërinë në fjalë. S’jam një nga ata njerëz që ju mund të mendoni... Unë jam në fund të mandatit 4-vjeçar, në 2015 këta njerëz kanë qenë të privuar nga liria dhe nuk më kanë vënë mua kryetar Bashkie.

Në ç’rrethana e njohët Astrit Avdylaj?

Mund të njoh mbi 70% e popullsisë së Shijakut me emër dhe mbiemër. E di që ka qenë i dënuar për një gjakmarrje që ka pasur.

“Bild” publikoi sot gjashtë biseda të përgjuara mes Astrit Avdylit dhe zyrtarëve të tjerë lokalë, mes tyre ish-drejtorin e Ujësjellësit në Shijak, Ivo Doçi, por edhe ish-kryetarin e PS-së, po në Shijak, Elton Arbana, i cili aktualisht është kandidat për kryetar bashkie dhe vëllanë e deputetit të PS-së, Arjan Ndrazhi. Gjithashtu në fund është edhe një bisedë mes Astrit Avdylit dhe një votuesi./ Tiranapost.al

http://www.tiranapost.al/ne-pergjime-kryetari-i-bashkise-se-shijakut-kokomani-skam-komunikuar-per-fushate/